
Një 50-vjeçar është arrestuar në flagrancë në fshatin Dishat të Konispolit, pasi mbante të fshehur në banesë një armë zjarri automatike.
Operacioni policor i koduar “Dishat” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një armë zjarri automatike dhe një karikator me 15 fishekë. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Sarandës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
Konispol, Sarandë – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Dishat”, ku u godit një rast armëmbajtjeje pa leje.
Në fshatin Dishat, 50-vjeçari Hadriatik Lame u arrestua në flagrancë pasi mbante fshehur në banesë një armë zjarri automatike dhe një karikator me 15 fishekë.
Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, konkretisht ato të stacionit të Policisë Konispol, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin “Dishat”, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.