
Në kuadër të një hetimi të zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë, u arrestuan pesë persona, përfshirë dy shtetase nga Uganda, të akuzuar për trafikim personash të rritur, mbajtje të lokaleve për prostitucion dhe vepra të tjera penale.
Hetimet proaktive disa mujore zbuluan se organizatori i grupit, shtetasi O.P., me ndihmën e bashkëpunëtores K.H., menaxhonte një aktivitet të jashtëligjshëm ku vajzat e trafikuara nga Uganda, të ardhura në Shqipëri në mars 2024, fillimisht punonin si kërcimtare “strip dance”, ndërsa më pas shfrytëzoheshin për shërbime seksuale në pjesën private të lokalit.
Për të fshehur aktivitetin, O.P. përdori shtetasen O.G. si qerramarëse dhe administratore fiktive, ndërsa bashkëpunëtorja K.H. menaxhonte vajzat dhe financat, duke ia dorëzuar paratë organizatorit.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 611,000 lekë, valuta të huaj dhe dy doreza përforcuese grushti metalike.
Gjykata e Shkallës së Parë Fier caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për organizatorin O.P. dhe bashkëpunëtoren K.H., ndërsa për shtetasen O.G. dhe vajzat e huaja u vendos “detyrim për t’u paraqitur” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Materialet u referuan për veprime të mëtejshme ligjore.