
Të paktën tre persona kanë humbur jetën dhe mbi 30 të tjerë janë plagosur në një sulm ajror masiv rus gjatë natës në Ukrainë, njoftoi presidenti Volodymyr Zelensky.
Ai tha se rajone të ndryshme të vendit u goditën si pjesë e një “strategjie të qëllimshme për të frikësuar civilët dhe për të shkatërruar infrastrukturën tonë”, duke shtuar se një raketë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi, përcjell BBC.
Forcat ajrore ukrainase thanë se Moska lëshoi gjithsej 619 dronë dhe raketa.
Nga ana tjetër, ministria ruse e Mbrojtjes e përshkroi sulmin si një “goditje masive” me “armë precize” kundër objekteve të industrisë ushtarake.
Në të njëjtën kohë, Rusia tha se katër persona u vranë në një sulm me dron ukrainas në rajonin Saratov, ku sipas Kievit u godit një rafineri e madhe nafte.
Një tjetër rafineri u dëmtua në rajonin fqinj të Samaras.
Sulmet ndërkufitare me dronë janë bërë pjesë e shpeshtë e luftës. Në korrik, një sulm i zgjatur ukrainas me dronë detyroi mbylljen e përkohshme të të gjitha aeroporteve të Moskës.
Ukraina ka synuar sistematikisht rafineritë e naftës dhe objektet e tjera kyçe industriale të Rusisë, të cilat luajnë rol vendimtar në përpjekjet e saj ushtarake.
Ndërkohë, Rusia ka intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës në javët e fundit, ndërsa Kievi dhe aleatët perëndimorë – përfshirë SHBA-në – vijojnë thirrjet për një armëpushim.
Më herët këtë muaj, godina kryesore e qeverisë në Kiev u godit nga ajo që autoritetet ukrainase e përshkruan si një raketë ruse Iskander.
Zelensky deklaroi të shtunën se planifikon të takohet me presidentin amerikan Donald Trump në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e ardhshme.
Takimi zhvillohet pas përpjekjes së Trump-it muajin e kaluar për të arritur një marrëveshje paqeje me Vladimir Putinin në Alaskë, e cila përfundoi pa rezultat.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi Estonia kërkoi konsultime urgjente me aleatët e NATO-s, pas një shkeljeje të hapësirës ajrore nga avionët luftarakë rusë, të cilët qëndruan mbi territorin estonez për 12 minuta para se të përziheshin. Rusia e mohoi këtë shkelje.
Tensionet janë rritur gjithashtu pasi Polonia dhe Rumania, të dyja anëtare të NATO-s, raportuan më herët këtë muaj hyrje të dronëve rusë në hapësirat e tyre ajrore.