
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka pranuar se në radhët e demokratëve ka pakënaqësi dhe inate, por theksoi se armiku i përbashkët mbetet kryeministri Edi Rama.
Në një intervistë për emisionin Kjo Javë në News24, Paloka tha se pas 12 vitesh në opozitë, është e natyrshme që brenda PD-së të ketë tensione, por sipas tij, kjo nuk duhet të kthehet në përçarje.
“Ka inate dhe brenda përbrenda. Ka nga ata që thonë ‘shyqyr që erdhi rasti t’ia plas këtij’. Demokratëve, atyre që e duan PD dua t’u them: nuk janë armiqtë demokratët, por armiku është Rama. Nga dëshpërimi duket sikur gjuajmë njëri-tjetrin, por me këtë i japim kënaqësi atij tjetrit,” u shpreh Paloka.
Ai e cilësoi situatën brenda partisë si të vështirë, duke shtuar se “shumica e demokratëve mezi sigurojnë bukën e gojës” dhe se sipas tij, Rama i ka larguar pothuajse të gjithë nga administrata.
I pyetur për gabimet e PD-së, Paloka tha se nuk ishin ato që përcaktuan rezultatin e zgjedhjeve, por “manipulimi i bërë nga Rama”.
“Zgjedhjet u manipuluan, u vodhën. Nuk janë gabimet tona që përcaktuan rezultatin, por është Rama ai që e bëri këtë gjë. Kam qenë kundër votës së emigrantëve, pasi e dija se çfarë do të ndodhte. Kështu po i japim në dorë një formë drejt manipulimit,” tha ai.
Paloka theksoi se Partia Demokratike ka nevojë për ndryshime, por këto, sipas tij, duhet të vijnë “në mënyrë normale” dhe jo si pasojë e konflikteve të brendshme.
“Ka shumë gjëra që duhet të rregullojmë, nuk është vetëm çështje emrash. S’do ta lë luftën!”, përfundoi ai.