
Një përplasje mes studentëve dhe administratës në godinën numër 3 të “Qytetit Studenti” ka rikthyer debatin mbi transparencën në ndarjen e dhomave. Ngjarja ndodhi të enjten, gjatë regjistrimeve për fillimin e vitit të ri akademik.
Studentët akuzuan administratën se po favorizonte miq e të afërm të stafit për vendet në godinë, duke mos respektuar radhën.
Aktivisti i “Qëndresa Qytetare”, Mateo Yskollari, tha se pamjet filmike të kamerave janë në dorë të administratës dhe kërkoi hetim nga prokuroria, duke theksuar se nuk mund të lejohet regjistrimi i miqve para studentëve që presin në radhë.
Nga ana e tij, drejtori i Rezidencës Studentore Universitare, Olsi Shahini, mohoi akuzat dhe sqaroi se radha është respektuar gjatë regjistrimit të ditës së enjte.
Ai premtoi se është i gatshëm të vendosë në dispozicion pamjet filmike për studentët dhe prindërit, për të vërtetuar procesin e regjistrimit.
Të gjithë synonin regjistrimin në këtë godinë, por vendet ishin të limituara. Në rezidencë, aplikimet vijojnë dhe ka kapacitete të shumta, por synimi i shumicës prej nxënësve ka qenë kjo rezidencë e re. Jam i gatshëm të vendos në dispozicion pamjet e nevojshme për studentë dhe prindër”, tha drejtori Rezidencës Studentore Universitare, Olsi Shahini.
Ngjarja, që përfshiu edhe ndërhyrjen e policisë për të neutralizuar përplasjen mes studentëve për radhën, ka risjellë në fokus kërkesat për një proces më të drejtë dhe transparent në ndarjen e dhomave në “Qytetin Studenti”.