
Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka vendosur të përfundojë mbrojtjen nga deportimi për migrantët sirianë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, sipas një njoftimi zyrtar të publikuar të premten, përcjell Jerusalem Post.
Vendimi i ri parashikon përfundimin e statusit të mbrojtur të përkohshëm (TPS) për shtetasit sirianë, i cili ishte parashikuar të skadonte më 30 shtator. Sipas njoftimit, masa do të hyjë në fuqi më 21 nëntor 2025.
Ky status u kishte ofruar mbrojtje nga deportimi dhe leje pune mijëra sirianëve që kishin ikur nga lufta civile në vendin e tyre. Vendimi i fundit pritet të prekë ndjeshëm komunitetin sirian në SHBA, teksa autoritetet federale justifikojnë ndryshimin me vlerësimin e situatës aktuale në Siri dhe politikave të emigracionit.
Mbetet e paqartë se çfarë alternativash ligjore do të kenë në dispozicion sirianët e prekur pas përfundimit të mbrojtjes.