Vendosni fjalën kyçe....

“Politika presion antikushtetues ndaj vendimit të institucioneve të drejtësisë” – Kreu i ILD-së Metani


Kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani kritikoi ato që i quajti presione të politikës nga të gjithë krahët ndaj vendimeve të drejtësisë.

Gjatë takimit të thirrur nga ambasada e Holandës, ku merrnin pjesë krerët e institucioneve të drejtësisë, ai theksoi se sistemi gjyqësor është prej kohësh në një trysni antikushtetuese duke e penguar të ushtrojë detyrën si duhet.

“U bë kohë që sistemi gjyqësor është nën një trysni, për mua antikushtetuese, për të ushtruar detyrën ose jo, në një formë të caktuar. Nga të gjithë. U bë kohë që fyerjet për magjistratët janë pjesë më e konsiderueshme e artikulimit kur vjen puna tek kritikat për pushtetin gjyqësor. Natyrisht, të papranueshme këto në çdo pikëpamje. Por kur këto kritika shkojnë përtej kufijve, atëherë këto kritika nuk ndikojnë vetëm mënyrën se si magjistratët i marrin vendimet por gjithashtu minojnë besimin publik tek institucionet e pushtetit gjyqësor. Kjo është kostoja më e madhe”, tha Metani.