
Tre avionë luftarakë rusë që shkelën hapësirën ajrore të Estonisë janë ndaluar nga NATO, njoftoi aleanca ushtarake.
Ministria e Jashtme e Estonisë në Talin e dënoi incidentin si një veprim “të pacipë”.
Sipas saj, tre avionë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të një vendi anëtar të NATO-s “pa leje dhe qëndruan aty gjithsej 12 minuta” të premten mbi Gjirin e Finlandës.
Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se aleanca “reagoi menjëherë dhe ndaloi avionët rusë”, duke e cilësuar këtë si “një tjetër shembull të sjelljes së pamatur të Rusisë dhe aftësisë së NATO-s për të reaguar”.
Moska nuk ka dhënë ende asnjë koment publik, sipas BBC.
Reagimet në Tallinn dhe Bruksel
Ministria e Jashtme e Estonisë thirri të ngarkuarin me punë të ambasadës ruse për të dorëzuar një protestë zyrtare, ndërsa shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, e quajti incidentin “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna, deklaroi se shkelja ishte “jashtëzakonisht e pacipë”.
Ai shtoi: “Testimi gjithnjë e më i gjerë i kufijve nga Rusia dhe agresiviteti në rritje duhet të përballen me një rritje të shpejtë të presionit politik dhe ekonomik”.
Ai nënvizoi se gjatë vitit 2025, Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të Estonisë katër herë.
Në një reagim në X, Kallas theksoi se BE “do të vazhdojë të mbështesë shtetet anëtare në forcimin e mbrojtjes me burime evropiane”. Ajo shtoi se presidenti rus Vladimir Putin “po teston vendosmërinë e Perëndimit. Ne nuk duhet të tregojmë dobësi”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i mbështeti fjalët e saj: “Do t’i përgjigjemi çdo provokimi me vendosmëri, duke investuar njëkohësisht në forcimin e krahut lindor. Me rritjen e kërcënimeve, do të rritet edhe presioni ynë”.
Tensionet në rritje në krahun lindor të NATO-s
Mediat estoneze raportuan se avionët rusë kishin fikur transponderët e tyre dhe hynë në hapësirën ajrore në zonën e ishullit Vaindloo, në Gjirin e Finlandës.
Incidenti ndodhi vetëm disa ditë pasi Polonia dhe Rumania – të dyja vende anëtare të NATO-s – raportuan shkelje të hapësirës së tyre ajrore nga dronët rusë.
Javën e kaluar, ushtria polake njoftoi se rrëzoi të paktën tre dronë rusë, ndërsa kryeministri Donald Tusk tha se gjithsej 19 dronë kishin hyrë në hapësirën ajrore të vendit. Rusia e quajti incidentin “të paqëllimshëm”, ndërsa Bjellorusia deklaroi se dronët kishin devijuar për shkak të bllokimit të sistemeve të navigimit.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se kishte zbuluar një dron rus pranë kufirit me Ukrainën, gjatë sulmeve ajrore ruse mbi infrastrukturën e Ukrainës në lumin Danub. Droni më pas u zhduk nga radarët.
Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, NATO ka shpërndarë avionë luftarakë dhe trupa shtesë drejt lindjes. Avionë nga Britania, Franca, Gjermania dhe Danimarka po kryejnë misione të mbrojtjes ajrore mbi Poloni për të forcuar krahun lindor të aleancës.
Të hënën, një avion francez u ngrit me urgjencë për një alarm tjetër të mundshëm nga dronët rusë, por NATO njoftoi se alarmi u mbyll shpejt.