
Një sulm me dron i forcave paraushtarake Rapid Support Forces (RSF) ka vrarë të paktën 75 persona që po faleshin në një xhami në qytetin e rrethuar El Fasher, sipas ekipeve të shpëtimit. Sulmi goditi lagjen al-Daraja, ku ishin strehuar civilë nga kampi i zhvendosurve Abu Shouk, i cili kohët e fundit ra në duart e luftëtarëve. Pamjet në rrjete sociale tregojnë trupa nën rrënoja, ndërsa grupi RSF nuk ka komentuar ende, përcjell Guardian.
El Fasher, kryeqyteti i Darfurit të Veriut, është bastioni i fundit i ushtrisë sudaneze në rajon dhe ndodhet nën rrethim për më shumë se një vit. Sipas Qendrës së Kërkimeve Humanitare të Universitetit Yale, RSF po ndërton një mur balte rreth qytetit për të bllokuar civilët brenda.
Satelitët kanë regjistruar dëme të rënda në kampet e zhvendosurve Abu Shouk dhe Zamzam, si dhe në ish-bazën paqeruajtëse të UNAMID. Kombet e Bashkuara raportojnë se vetëm në gjysmën e parë të vitit janë vrarë mbi 3,300 civilë, shumica në Darfur, me një pjesë të sulmeve që duket se kanë qenë ekzekutime të menjëhershme me motive etnike.
Qyteti është nën bllokadë komunikimi, gjë që e vështirëson verifikimin e viktimave apo shpërndarjen e ndihmave. Aktivistët në terren paralajmërojnë për një katastrofë humanitare dhe frikë nga masakra etnike në rast se El Fasher bie plotësisht nën kontrollin e RSF. Lufta në Sudan ka shkaktuar mbi 150,000 të vdekur dhe ka zhvendosur mbi 14 milionë njerëz, duke e kthyer në një nga krizat më të rënda humanitare të shekullit.