Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli kryen sulme ndaj Hezbollahut në Libanin jugor



Ushtria izraelite ka kryer sulme të reja ajrore në jug të Libanit, duke goditur caqe të pretenduara ushtarake të grupit të armatosur Hezbollah. Sulmet vijnë në përpjekje për të parandaluar, sipas autoriteteve izraelite, rigrupimin e militantëve pranë kufirit, përcjell REL.

Në një komunikatë zyrtare, ushtria izraelite konfirmoi se sulmet kishin në shënjestër “infrastrukturën ushtarake të Hezbollahut”, si reagim ndaj përpjekjeve të këtij grupi për të rikthyer aktivitetin në zonat kufitare. Autoritetet gjithashtu paralajmëruan banorët e tri fshatrave të zonës që të evakuoheshin për shkak të rrezikut të shtuar.

Sulmet janë konfirmuar edhe nga Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA), ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Hezbollahu dhe nuk raportohen viktima apo dëme materiale.

Kryeministri libanez Nawaf Salam dënoi zhvillimet e fundit, duke thënë se paralajmërimet për evakuim bien ndesh me përpjekjet ndërkombëtare për rivendosjen e paqes. Në një postim në rrjetin social X, ai theksoi përkushtimin e qeverisë për të ndaluar armiqësitë dhe për zbatimin e rezolutës së OKB-së që i dha fund luftës mes Hezbollahut dhe Izraelit në vitin 2006.

Ngjarjet vijnë pavarësisht një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara në nëntor 2024, pas më shumë se një viti tensionesh të shkaktuara nga konflikti në Rripin e Gazës. Megjithatë, përleshjet sporadike dhe shkëmbimet e zjarrit në kufirin Liban-Izrael kanë vazhduar me intensitet të ndryshueshëm.

Hezbollahu, i cili mbështetet nga Irani, konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa Bashkimi Evropian e ka shpallur të tillë vetëm krahun ushtarak të grupit. Libani ndodhet nën presion të shtuar nga SHBA, Arabia Saudite dhe faktorë të brendshëm për të çarmatosur këtë forcë të armatosur, që ka ndikim të fortë politik dhe ushtarak në vend.

Nga ana tjetër, Hezbollahu ka deklaruar se nuk mund të ketë diskutim për çarmatosje ndërkohë që Izraeli vazhdon sulmet ajrore dhe, sipas tyre, mban nën kontroll zona të jugut libanez.