
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka bërë publike takimet e zhvilluara nga Gjenerali i Forcave Ajrore të SHBA, Alexus Grynkewich, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Sipas njoftimit zyrtar, Grynkewich u takua me kryeministrin Edi Rama, presidentin Bajram Begaj, si dhe me drejtues të mbrojtjes në vendin tonë, në kuadër të vizitës së tij për të bashkëkryesuar konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të Kartës së Adriatikut (A5) 2025.
Në postimin e Ambasadës theksohet se Gjenerali shprehu optimizëm për angazhimin rajonal në ndarjen e përgjegjësive në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit.
“Këtë javë, Gjenerali i Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara, Alexus Grynkewich, Komandanti i Komandës Europiane të Shteteve të Bashkuara dhe Komandant Suprem i Forcave Aleate për Europën, u takua me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Bajram Begaj dhe udhëheqësit në fushën e mbrojtjes së Shqipërisë gjatë vizitës së tij në Tiranë për të bashkëkryesuar konferencën e Shefave të Shtabit të Përgjithshëm të SHBA-Kartës së Adriatikut (A5) 2025. Në konferencën me udhëheqësit ushtarakë të vendeve të Kartës së Adriatikut dhe në takimet e tij dypalëshe, Gjenerali Grynkewich shprehu optimizëm për angazhimin rajonal në ndarjen e përgjegjësive në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimit dhe stabilitetit.” – shkruan Ambasada Amerikane.
Konferenca e A5 mblodhi në Tiranë shefat e shtabit të përgjithshëm të vendeve anëtare, ku u diskutua forcimi i sigurisë rajonale dhe roli i Shqipërisë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.