
Televizioni ABC, në pronësi të ëalt Disney, tha të mërkurën se po e hiqte nga transmetimi emisionin “Jimmy Kimmel Live”, pasi komentet e prezantuesit të emisionit të orëve të vona në lidhje me vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk çuan në një paralajmërim nga kreu i rregullatorit më të lartë të komunikimeve në SHBA kundër Disney.
Presidenti Donald Trump, i cili u ka kërkuar televizioneve që të ndalojnë transmetimin e përmbajtjeve që nxisin përçarje, dhunë e urrejtje, festoi lajmin në një postim në rrjetet sociale. Një numër ligjvënësish demokratë e kritikuan vendimin, duke thënë se liria e fjalës ishte nën sulm.
Kimmel, i cili shpesh e ka sulmuar Trump-in në emisionin e tij të komedisë vonë natën, u kritikua për komentet që bëri në lidhje me vrasjen në monologun e tij të hënën.
“Ne arritëm në disa nivele të reja gjatë fundjavës, me bandën MAGA që përpiqet me dëshpërim ta karakterizojë këtë djalë që vrau Charlie Kirk si çdo gjë tjetër përveç njërit prej tyre, dhe duke bërë gjithçka që mundet për të fituar pikë politike prej kësaj,” tha Kimmel.
Kirk, një aktivist konservator 31-vjeçar dhe aleat i Trump, i njohur për pikëpamjet e tij të krahut të djathtë dhe stilin e tij të vrullshëm të debatit, u qëllua në qafë ndërsa fliste në një universitet të Utah një javë më parë. Një i dyshuar 22-vjeçar është akuzuar për vrasjen e tij, dhe motivi i tij i saktë mbetet i paqartë.
Komentet e Kimmel çuan në një përgjigje nga kreu i Komisionit Federal të Komunikimeve, Brendan Carr, i cili u kërkoi transmetuesve lokalë të ndalonin transmetimin e “Jimmy Kimmel Live” në ABC. Carr sugjeroi që komisioni mund të hapte një hetim dhe se transmetuesit potencialisht mund të gjobiten ose të humbasin licencat e tyre nëse do kishte një model komentesh të shtrembëruara.
“Kjo është një çështje shumë, shumë serioze tani për Disney. Mund ta bëjmë këtë në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë,” tha Carr në një intervistë në podcast me komentatorin konservator Benny Johnson që u transmetua të mërkurën, shkruan Reuters.
Menjëherë pasi Nexstar njoftoi vendimin e tij, ABC, e cila mban licenca të miratuara nga FCC për bashkëpunëtorët lokalë të transmetimit që zotëron, tha se Kimmel do hiqej nga transmetimi.
“‘Jimmy Kimmel Live’ do ndalohet për një kohë të pacaktuar”, tha një zëdhënës i ABC, pa dhënë hollësi.
Sinclair, grupi më i madh bashkëpunues i ABC në vend, tha më pas se nuk do e transmetonte shfaqjen e Kimmel, edhe nëse ABC vendos ta rikthejë atë, përveç nëse ndërmerren “hapa të përshtatshëm”. Sinclair i bëri thirrje Kimmel të kërkonte falje dhe tha se do transmetonte një homazh për Kirk në orarin e Kimmel të premten.
Kimmel, i cili u pa të mërkurën duke u larguar nga Teatri El Capitan ku regjistrohet shfaqja e tij, nuk iu përgjigj një kërkese për koment.