
Ish-drejtoresha e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), Susan Monarez, ka dëshmuar të mërkurën para senatorëve se u pushua nga puna nga Sekretari i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., pasi refuzoi të miratonte paraprakisht rekomandime të reja për vaksinat pa u mbështetur në prova shkencore.
Në dëshminë e saj, Monarez tha se Kennedy i kishte dhënë ultimatum: të “paraprovonte” rekomandimet e reja të një paneli këshillimor të CDC-së, i mbushur nga Kennedy me disa ekspertë mjekësorë që dyshojnë mbi sigurinë e vaksinave, ose të përballej me shkarkim, përcjell AP.
Po ashtu, sipas saj, Kennedy i kërkoi të largonte nga detyra disa zyrtarë të lartë të karrierës në CDC, pa asnjë arsye konkrete.
Monarez, e cila fillimisht ishte përzgjedhur nga vetë Kennedy dhe e nominuar për postin nga Presidenti Donald Trump, u shkarkua vetëm disa javë pas marrjes së detyrës për shkak të përplasjeve mbi politikat e vaksinimit.
Tani, ajo është paraqitur në Komitetin e fuqishëm të Shëndetësisë të Senatit për të sqaruar rrethanat e largimit të saj.
Paneli i ri i CDC-së pritet të votojë për rekomandimet e reja për vaksinat këtë javë, ndërsa dëshmia e Monarez ka hapur debat mbi ndërhyrjet politike në çështje të shëndetit publik.