
Dhoma Vendore e Avokatisë Vlorë ka ngritur alarmin për gjendjen në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe në Gjykatën e Apelit Administrativ, ku mijëra çështje mbeten të pezulluara prej vitesh, duke lënë qytetarët pa zgjidhje ligjore.
Sipas reagimit zyrtar, shkaku kryesor i kësaj krize lidhet me mungesën e gjyqtarëve dhe ambienteve të përshtatshme, si dhe me keqmenaxhimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ). Dhoma e Avokatisë e cilëson situatën si “dështim të hapur institucional” që ka sjellë pasoja shkatërruese për aksesin në drejtësi.
“Çdo ditë vonesë në shqyrtimin e çështjeve është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe një dhunim i parimit kushtetues për gjykim brenda një afati të arsyeshëm”, thuhet në deklaratë.
Dhoma e Avokatisë Vlorë i kërkon KLGJ-së të marrë masa emergjente për funksionalizimin e plotë të dy gjykatave, duke shtuar numrin e gjyqtarëve dhe duke garantuar shqyrtimin efektiv të çështjeve të mbetura pezull. Sipas saj, harta gjyqësore e miratuar nga KLGJ vetëm sa e ka thelluar krizën dhe ka paralizuar sistemin.
Në përfundim, avokatët paralajmërojnë se, nëse KLGJ vijon të qëndrojë pasiv, do të mbajë mbi vete “përgjegjësinë historike për kolapsin e drejtësisë në Shqipëri”.