
Këshilltarët bashkiakë të Partisë Socialiste në Këshillin Bashkiak të Tiranës do të zhvillojnë një mbledhje të mërkurën në selinë qendrore të PS-së, ku do të diskutojnë mbi situatën e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili ndodhet nën masën e arrestit me burg prej 10 shkurtit 2025, me urdhër të GJKKO-së, pas akuzave për korrupsion të ngritura nga SPAK.
Burime nga brenda PS bëjnë me dije se mbledhja vjen pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë asamblesë së 11 shtatorit i bëri thirrje Këshillit Bashkiak të nisë zyrtarisht procedurat për shkarkimin e Veliajt nga detyra, pas më shumë se shtatë muajsh mungesë dhe përballjeje me drejtësinë.
Në të njëjtën asamble, Rama njoftoi gjithashtu se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e Partisë Socialiste në zgjedhjet e parakohshme lokale që pritet të zhvillohen në Tiranë, në rast se mandati i Veliajt ndërpritet zyrtarisht.
Kjo lëvizje shihet si përpjekje e mazhorancës për të mbyllur një kapitull të rëndë politik dhe për të ringritur profilin e PS në kryeqytet, pas një periudhe të gjatë tensioni institucional dhe akuzash të forta ndaj njërit prej figurave më të spikatura të viteve të fundit në këtë forcë politike.
Nëse këshilltarët do të miratojnë nisjen e procedurave, Këshilli Bashkiak pritet të thërrasë një seancë të posaçme për të votuar zyrtarisht shkarkimin e Veliajt. Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, mungesa e gjatë për shkak të ndalimit penal dhe pamundësia për të ushtruar detyrën, përbëjnë baza të vlefshme për ndërprerjen e mandatit.