Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare ikona e Hollywood-it Robert Redford


Robert Redford, aktori i famshëm amerikan, regjisor fitues i çmimeve Oscar dhe një nga figurat më të dashura të kinemasë botërore, ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga publicistja e tij, Cindi Berger, kryetare dhe CEO e Rogers and Cowan PMK.

Robert Redford u nda nga jeta më 16 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sundance, në malet e Utah-s – vendi që ai e donte, i rrethuar nga njerëzit që donte. Ai do të mungojë shumë,” thuhet në deklaratën e Berger për CNN, ku familja kërkoi privatësi.

Redford u bë i njohur për rolet e tij të paharrueshme në filmat “Butch Cassidy and the Sundance Kid” dhe “All the President’s Men”, ndërsa si regjisor la gjurmë me filma si “Ordinary People” dhe “A River Runs Through It”.

Pasioni i tij për kinemanë solli krijimin e Sundance Institute, një organizatë jofitimprurëse që mbështet kinemanë dhe teatrin e pavarur, duke themeluar edhe Festivalin e Filmit Sundance, sot një nga më prestigjiozët në botë.

I angazhuar edhe në mbrojtjen e mjedisit, Redford u shpërngul në Utah në vitin 1961, duke udhëhequr nisma për ruajtjen e peizazheve natyrore të shtetit dhe të Perëndimit Amerikan.

Ai vazhdoi të aktronte edhe në moshë të thyer, duke u ribashkuar me Jane Fonda në filmin e Netflix-it Our Souls at Night (2017).

Një vit më vonë, në moshën 82-vjeçare, ai interpretoi në The Old Man & the Gun, film që e quajti të fundit në karrierë, por theksoi se nuk do të “pensionohej kurrë”.

Për mua, pensioni nënkupton të ndalosh diçka apo të heqësh dorë nga diçka. Kjo jetë është për t’u jetuar, pse të mos e jetosh sa më shumë që të mundesh, për sa kohë që të jetë e mundur?” kishte thënë Redford në një intervistë për CBS Sunday Morning në vitin 2018.

Në tetor të vitit 2020, Redford ngriti shqetësimin për mungesën e fokusit ndaj ndryshimeve klimatike mes zjarreve shkatërrimtare në SHBA, në një opinion të botuar nga CNN.

Po atë muaj, ai përjetoi një humbje të madhe personale: vdekjen e të birit 58-vjeçar, David James Redford, aktivist, regjisor dhe filantrop, i cili ndoqi gjurmët e të atit.

Robert Redford mbetet një ikonë e kinemasë botërore, një artist me ndikim të jashtëzakonshëm dhe një zë i fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit.