Vendosni fjalën kyçe....

“Duhet të përgatitemi për sanksione e bojkot” – Netanyahu


Izraeli do duhet të riformësojë ekonominë e tij për t’i bërë ballë sanksioneve dhe bojkoteve gjithëpërfshirëse, paralajmëroi të dielën kryeministri Benjamin Netanyahu.

Duke folur në konferencën vjetore të përgjithshme të kontabilistëve të Ministrisë së Financave në Jerusalem, Netanyahu tha se presioni ndërkombëtar në rritje mbi luftën në Gaza po e shtyn vendin drejt vetëmjaftueshmërisë ekonomike.

“Do na duhet të përshtatemi gjithnjë e më shumë me një ekonomi me tipare autarkike”, tha ai.

“Unë besoj në tregjet e lira, kam punuar për t’i sjellë Izraelit një revolucion të tregut të lirë. Por mund të gjendemi në një situatë ku industritë tona të mbrojtjes janë të bllokuara.”

Do na duhet të zhvillojmë industritë e brendshme të mbrojtjes. Do të na duhet të bëhemi Athinë dhe super-Spartë. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Të paktën në vitet e ardhshme, do na duhet të merremi me këto përpjekje për izolim. Ajo që funksionoi deri tani nuk do funksionojë më tej.

Aktivistët pro-Palestinë kanë ushtruar presion mbi kompanitë e huaja që të ndërpresin lidhjet me Izraelin. Javën e kaluar, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje që marrëveshja e tregtisë së lirë e BE-së me Izraelin të pezullohet, duke përmendur krizën humanitare në Gaza, ku gati 65,000 njerëz kanë vdekur që nga viti 2023. Ajo akuzoi “ministrat ekstremistë” në qeverinë e Netanyahut për nxitje të dhunës kundër palestinezëve, shkruan RT.

Izraeli merr rreth 3.3 miliardë dollarë çdo vit në ndihmë ushtarake dhe sigurie nga SHBA-ja, së bashku me paketa shtesë të miratuara nga Kongresi. Sipas Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë, Uashingtoni ka ofruar rreth 310 miliardë dollarë ndihmë kryesisht ushtarake që nga viti 1946. Në vitin 2024, shpenzimet ushtarake të Izraelit u rritën në afërsisht 8.78% të PBB-së, pothuajse dyfishi i nivelit para vitit 2023.