Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon Peleshin në Kuvend: Po kryeni puç kushtetues me procedurën e përshpejtuar për komisionet


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërthyer sot në akuza ndaj kryeparlamentarit Niko Peleshi gjatë seancës plenare, duke e akuzuar se ka nisur detyrën me shkelje të Kushtetutës.

Berisha deklaroi se tentativa për procedurë të përshpejtuar mbi komisionet parlamentare është një “shkelmim i vullnetit të qytetarëve” dhe një “puç kushtetues”.

“Të fillosh detyrën duke shkelmuar Kushtetutën, duke përjashtuar të gjitha hapësirat e përcaktuara nga Kushtetuta, damkos në mënyrë përfundimtare veten tënde, tregon se nuk je gjë tjetër, vetëm një sekretar mjeran i kreut të organizatës kriminale të Shqipërisë, që e ka emrin Edi Rama”, tha Berisha.

Ai shtoi se përshpejtimi i procedurave është një akt që synon të fshehë shkeljet e qeverisë.

“Shkelmimi i Kushtetutës është një puç që i bëhet librit të shtetit, vetëm e vetëm se ju doni me shpejtësi të lani duart si Ponç Pilati pas krimit që kryeni.”- tha ai.

Në fjalën e tij, kreu i PD-së akuzoi se veprimet e mazhorancës janë një provokacion ndaj rendit kushtetues, opozitës dhe qytetarëve.

“Ky është një provokacion i ulët që ju i bëni qytetarëve të këtij vendi, një akt i turpshëm. Çfarë e keni ju Kushtetutën, statutin e partisë suaj të krimit?”- u shpreh Berisha.