
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se nuk mund të ketë “unitet” me ata të së majtës që festojnë ose gjejnë justifikime për vrasjen e Charlie Kirk.
Vance i bëri këto komente ndërsa ishte i ftuar si prezantues i emisionit “Charlie Kirk” të hënën, nga Shtëpia e Bardhë. Vance tha se vendi mund të bashkohet vetëm pasi të pranohet dhe të trajtohet problemi me dhunën politike që vjen nga e majta.
“Unë vërtet besoj se mund të bashkohemi në këtë vend. Besoj se duhet ta bëjmë këtë, por uniteti, uniteti i vërtetë, mund të gjendet vetëm pasi të ngjitemi në malin e së vërtetës. Dhe ka të vërteta të vështira me të cilat duhet të përballemi në vendin tonë”, tha Vance.
Një nga “të vërtetat e vështira”, tha Vance, ishte se dhuna politike nuk ishte një çështje “e të dyja palëve”.
“Nëse të dyja palët kanë një problem, njëra palë ka një problem shumë më të madh dhe të keq, dhe kjo është e vërteta që duhet të na thuhet. Ky problem ka pasoja të tmerrshme”, tha ai, duke iu referuar përpjekjes për vrasjen e Presidentit Donald Trump dhe të shtënave me armë ndaj udhëheqësit të shumicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Steve Scalise, në vitin 2017.
“Duke festuar atë vrasje, duke mos kërkuar falje për të dhe duke theksuar jo pafajësinë e Charlie-t, por faktin se ai tha gjëra që disave nuk u pëlqyen, madje deri në atë pikë sa të gënjenin për atë që tha në të vërtetë, shumë nga këta njerëz po krijojnë një mjedis ku gjëra të tilla do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme”, tha Vance.
“Nuk ka unitet me dikë që gënjen për atë që tha Charlie Kirk për të justifikuar vrasjen e tij.”
Vance i inkurajoi njerëzit të vijojnë të kritikojnë të tjerët në mediat sociale nëse ata festojnë ose tallen me vdekjen e Kirk. Njerëz nga e gjithë vendi, nga pilotët e linjave ajrore deri te profesorët e universitetit, janë ndëshkuar për postime që festojnë ose tallen me vrasjen e Kirk.
“Pra, kur shihni dikë duke festuar vrasjen e Charlie-t, tregojeni me emër, telefononi punëdhënësin e tij,” tha Vance.
“Ne nuk besojmë në dhunën politike, por besojmë në qytetërim. Dhe nuk ka qytetërim në festimin e vrasjes politike.”
Ai tha se administrata Trump do punonte për të “çmontuar institucionet që promovojnë dhunën dhe terrorizmin në vendin tonë” dhe i inkurajoi amerikanët të përfshihen politikisht.
“Nuk mund t’ju premtoj se kjo do të jetë e lehtë,” tha ai.
“Nuk mund t’ju premtoj se të gjithë ne do e shmangim fatin e Charlie-t. Nuk mund t’ju premtoj se do ta shmang fatin e Charlie-t. Por mënyra më e mirë për ta nderuar atë është të ndriçojmë dritën e së vërtetës si një pishtar në skutat më të errëta.”
Vance e përfundoi fjalimin e tij duke iu referuar fragmentit në Dhiatën e Re që flet për ngjeshjen e “armaturës së plotë të Perëndisë”.
“Le të ngjeshim të gjithë atë armaturë dhe të përkushtohemi ndaj asaj kauze për të cilën Çarli dha jetën e tij, për të rindërtuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për ta bërë këtë duke thënë të vërtetën”, tha Vance.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Daily Wire
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani