
Sipas projektligjit të ri mbi Barazinë Gjinore“ që është dorëzuar në parlament, përcaktimi gjinor nuk është më i bazuar vetëm në dy gjini, burrë-grua por ka një kuptim gjithëpërfshirës duke parashikuar kësisoj identitete të tjera gjinore.
Në draftin fillestar, në Nenin 4, përcaktimi ishte burrë-grua po gjatë konsultimeve aleanca LGBTI kërkoi që përkufizimi të zgjerohej përtej konceptit burrë-grua, kërkesë që u pranua nga asokohe nga Ministria e Shëndetësisë.
Dhe në draftin final të dorëzuar në parlament, formulimi ndryshoi: “Gjini”, sipas këtij ligji, ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.”
Fjala “gjithëpërfshirëse” është futur edhe në disa nene të tjera të projektligjit duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim gjuhësor, por për një zgjerim të qëllimshëm që i jep status juridik kategorive të reja gjinore. Këtë e përforcon dhe termi, po në të njëjtin nen “shprehje gjinore”, që nënkupton se gjithkush mund të deklarojë gjininë që dëshiron.
Megjithatë, projektligji nuk jep një listë konkrete të gjinive jo-binare, pra atyre që shkojnë përtej konceptit të deritanishëm burrë-grua. Në debatet ndërkombëtare për identitetin gjinor, disa studiues numërojnë deri mbi 70 identitete të ndryshme, çka do e bënte edhe më të ndërlikuar zbatimin praktik të ligjit, shkruan Shqiptarja.