
Ka përfunduar mbledhja e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me krerët e grupeve parlamentare, ku u diskutua mbi propozimin e Partisë Socialiste për krijimin e 11 komisioneve parlamentare.
Në një deklaratë për mediat, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e cilësoi të papranueshëm këtë propozim, duke akuzuar mazhorancën për sjellje autoritare.
“Për PD është e papranueshme që në Asamblenë e PS të njoftohet publiku për organizimin e Kuvendit. Janë organizma të përbashkëta pune të opozitës dhe mazhorancës. Organizimi duhet të jetë rezultat i punës së të dyjave. Fakti i bërë sot i kryer me caktimin e kryetarëve dhe zëvendës kryetarëve, tregon frymën autoritare që Edi Rama ka instaluar në Republikën e Shqipërisë,” tha Bardhi.
Ai akuzoi mazhorancën se me shkrirjen e Komisionit Parlamentar për Integrimin ka hequr mekanizmin e vetëm në dorë të opozitës për procesin e integrimit europian.
“Shkrirja e komisionit Europian, mekanizmin që kishte në dorë opozita, zerohet pasi ky komision është bashkuar me Komisionin e Jashtëm. Shkrirja vërteton vullnetin e mazhorancës për të përjashtuar opozitën nga procesi. Shqipëria është i pari vend që përjashton opozitën nga një komision i dedikuar për integrimin, kur e ka prioritet procesin,” u shpreh Bardhi.