
Princi Andrew mund të “shkatërrohet” nga një arkiv me më shumë se 100 email-e sekrete të përfshira në Dosjet Epstein, sipas gazetës The Mail on Sunday.
Burime të shumta të mirëinformuara kanë zbuluar se email-e potencialisht “inkriminuese” midis Dukës së Jorkut dhe pedofilit të dënuar gjenden në qindra mijëra dokumente që aktualisht po shqyrtohen nga Kongresi Amerikan para se të bëhen publike.
Një burim tha: “Nëse mendoni se ajo që i ka ndodhur Peter Mandelson është e keqe, atëherë nuk keni idenë se çfarë do të ndodhë kur të publikohen email-et e Andreë. Ato janë të turpshme dhe inkriminuese dhe ai mund të shkatërrohet.”
Lord Mandelson u shkarkua nga detyra e ambasadorit britanik në Uashington javën e kaluar pasi u publikuan një sërë email-esh të turpshme midis tij dhe Epstein, shkruan Daily Mail.
Në njërën prej tyre, “Petie” i kërkoi miliarderit të luftonte kundër dënimit të tij për nxitjen e një fëmije për prostitucion.
David Boies, avokati i fuqishëm që përfaqësoi akuzuesen e Andrew, Virginia Giuffre, thotë se beson se ka prova të mjaftueshme për të hapur një hetim penal ndaj princit.
Andreë i mohoi me forcë dhe vazhdimisht pretendimet e znj. Giuffre se ajo ishte trafikuar seksualisht nga Epstein.
Në vitin 2022, duka arriti një zgjidhje civile prej 12 milionë paundësh me znj. Giuffre – e cila kreu vetëvrasje në fillim të këtij viti – pa pranuar fajin.
Disa email-e të sikletshme midis Andreë dhe Epstein janë zbuluar tashmë në dokumente ligjore gjatë viteve, përfshirë një në të cilin princi tha: “Mbani kontakt të ngushtë dhe do luajmë edhe disa të tjera së shpejti.”
Ky email, nga shkurti i vitit 2011, u zbulua në dokumentet gjyqësore nga një çështje e ngritur nga Autoriteti i Sjelljes Financiare kundër bankierit personal të Epstein, Jes Staley.
Dokumentet ligjore thanë se email-i u dërgua ‘nga një anëtar i Familjes Mbretërore Britanike’, të cilin BBC dhe të tjerë e raportuan gjerësisht si Princ Andrew.