
Gjashtë persona janë arrestuar në një operacion në shkallë të gjerë lidhur me firmat piramidale online. Të arrestuarit janë në qarkun e Fierit, kryesisht në Fier e Lushnjë ndërsa dhjetëra persona janë shoqëruar, shkruan Shqiptarja.
Gjatë aksionit janë sekuestruar shuma të mëdha parash.
Firmat piramidale online që po veprojnë në Shqipëri duke mashtruar me mijëra qytetarë janë kryesisht “XUEXA” dhe “TXEX”. Qytetarët rekrutohen përmes personave të tjerë të njohur të tyre, duke i bindur që të investojnë para në këto platforma online.
Ndërkohë, vetëm pasi kanë investuar dhe u tregojnë drejtuesve të platformës faturën, ata lejohet të futen në grupin e tyre në aplikacionin e komunikimeve “Telegram” dhe aty udhëzohen për çdo investim tjetër që duhet të kryejnë. Udhëzimet në “Telegram” merreshin nga një person i vetëquajtur Leo Smith.
Dhjetëra qytetarë kanë denoncuar në media e rrjete sociale se nuk kanë mundur të tërheqin paratë që janë investuar aty.