
Sekretari i Tregtisë i SHBA-së, Howard Lutnick, ka thënë se Uashingtoni do bëjë një marrëveshje tregtare me Indinë vetëm pasi Nju Delhi të ndalojë blerjen e naftës ruse dhe të hapë tregun e saj.
Komentet e Lutnick vijnë disa ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Kryeministri Indian, Narendra Modi, konfirmuan se Uashingtoni dhe Nju Delhi po vijojnë bisedimet tregtare dhe shprehën optimizëm se negociatat do përfundojnë së shpejti, shkruan RT.
“Ne do e rregullojmë çështjen e Indisë,” tha Lutnick në një bashkëbisedim me CNBC të enjten.
“E dini, India në thelb duhet të hapë tregun e saj, duhet të ndalojë blerjen e naftës ruse.”
Ai përsëriti pretendimet e tij të mëparshme se Nju Delhi nuk kishte blerë naftë nga Moska para konfliktit në Ukrainë.
“Pra, ata po e blejnë, po e rafinojnë dhe pastaj po ia shesin pjesës tjetër të botës. Presidenti Trump e quajti këtë absurditet dhe tha se duhet ta ndalojnë këtë gjë. Mendoj se India do e zgjidhë çështjen me ne, pasi të ndalojë së bleri naftë ruse”, tha Lutnick.
Rusia është shfaqur si një furnizuese kryesore e naftës për Indinë që nga sulmi ndaj Ukrainës në shkurt 2022, duke përbërë gati 40% të importeve të naftës bruto të Indisë. Paralelisht, India është bërë një eksportuese kryesore e karburanteve të rafinuara në Evropë që nga viti 2023.
Muajin e kaluar, Uashingtoni vendosi një tarifë penale prej 25% për shumicën e importeve indiane, për importet e naftës bruto ruse nga Nju Delhi. Kjo ishte shtesë mbi 25% të vendosura ndaj kombit të Azisë Jugore kur India dhe SHBA-të nuk arritën të arrinin një marrëveshje tregtare në fillim të gushtit.