Vendosni fjalën kyçe....

Këlliçi: Kuvendi është bërë kopshti personal i autokratit, PD fokusohet tek qytetarët për të mposhtur keqqeverisjen


Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar pas zgjedhjeve të 11 majit, duke cilësuar procesin elektoral si një farsë dhe akuzuar qeverinë e Edi Ramës për keqqeverisje dhe lidhje me influenca të paligjshme ndërkombëtare.

Ai thekson rëndësinë e mbajtjes së fokusit tek shqetësimet e qytetarëve dhe sfidat që përballen shqiptarët, duke premtuar angazhim të plotë të PD-së për ndryshimin e gjendjes dhe tejkalimin e krizës politike dhe ekonomike të vendit.

Në një postim, Këlliçi deklaron: “Pas farsës elektorale të 11 majit dhe rezultatit deformues për shoqërinë tonë, rikthehem në atë që do duhej të ishte tempulli i demokracisë, por që për fatkeqësinë e Shqipërisë është shndërruar në kopshtin personal të autokratit Edi Rama.”

Ai shton se detyra e PD-së është të mbajë fokusin tek shqiptarët dhe shqetësimet e qytetarëve, duke falënderuar veçanërisht banorët e Njësive Administrative nr.2, nr.5, nr.9, Vaqarrit, Pezës dhe Ndroqit për mbështetjen e tyre në rrugëtimin për ndryshim.

Këlliçi kritikon qeverinë aktuale duke u shprehur se: “Problemi është qeveria e Ramës, e cila legjitimohet nga një kartel ndërkombëtar i influencave të paligjshme politike, me axhenda që nuk përputhen më aspiratat, dëshirat dhe nevojat e shqiptarëve të thjeshtë. Karteli Soros dhe Narkoshteti i Ramës do të rrëzohen me çdo kusht!”

Ai nënvizon se rruga për daljen nga kjo fatkeqësi është rikthimi tek njerëzit e thjeshtë dhe vlerat njerëzore, duke garantuar se me besimin dhe mbështetjen e qytetarëve, PD mund të përballet me keqqeverisjen dhe autokracinë, duke mbrojtur liritë individuale dhe duke luftuar korrupsionin dhe varfërinë e gjerë.

 

Postimi i deputetit të PD Belind Këlliçi:

Pas farsës elektorale të 11 majit dhe rezultatit deformues për shoqërinë tonë, rikthehem në atë që do duhej të ishte tempulli i demokracisë, por që për fatkeqësinë e Shqipërisë është shndërruar në kopshtin personal të autokratit Edi Rama.

Pavarësisht të gjithave, është detyrë e Partisë Demokratike dhe e jona si deputetë të mbajmë fokusin tek shqiptarët, tek shqetësimet e qytetarëve dhe opozitarëve të Tiranës që na dhanë votëbesimin, në një klimë të paprecedentë të presionit politik.

Mirënjohje pafund qytetarëve të Tiranës, e në veçanti banorëve të Njësive Administrative nr.2, nr.5, nr.9 dhe Vaqarrit, Pezës e Ndroqit, për rrugëtimin dhe betejën tonë të përbashkët, për të sjellë ndryshimin e shumëpritur.

Ju garantoj se votëbesimi juaj nuk do të shkojë dëm. Personalisht kam dhënë prova për këtë!

Çdo demokrat dhe njeri i arsyeshëm sot është i vetëdijshëm për gropën e madhe demografike dhe dramën familjare të shpopullimit, për rrënimin e ekonomive familjare, për vështirësitë e të rinjve për të ndërtuar një jetë dinjitoze në shtëpinë e tyre.

Në të njëjtën kohë është në sytë e të gjithëve ne emëruesi i përbashkët dhe rrënja e problemeve ekonomike, sociale dhe krizës së përfaqësimit. Problemi është qeveria e Ramës, e cila legjitimohet nga një kartel ndërkombëtar i influencave të paligjshme politike, me axhenda që nuk përputhen më aspiratat, dëshirat dhe nevojat e shqiptarëve të thjeshtë. Karteli Soros dhe Narkoshteti i Ramës, do të rrëzohen me çdo kusht!

Ka një rrugë për të dalë nga kjo fatkeqësi. Është rikthimi tek njerëzit e thjeshtë, tek vlerat njerëzore të pandryshueshme dhe shpirti i madh i një populli kaq të nëpërkëmbur.

Me besimin dhe mbështetjen e tyre mund të përballemi në çdo front me keqqeverisjen dhe autokracinë, nga liritë individuale të shtypura tek lufta ndaj korrupsionit të pandalshëm dhe mbajtjes së pamëshirshme në varfëri të shtresave të gjera të shoqërisë, me qëllim mpakjen e vendit tonë.

Me këtë fatkeqësi politike mund të përballemi dhe ta mposhtim, me dëshirën e mirë, qëndresën dhe mbështetjen nga çdo shqiptar i ndershëm e vullnetmirë.

Faleminderit!