
Një valë sulmesh ajrore vrau të paktën 32 persona në Gaza City, ndërsa Izraeli ka përshkallëzuar ofensivën e tij atje dhe u ka bërë thirrje palestinezëve të evakuohen, njoftuan të shtunën punonjësit e mjekësisë.
Mes viktimave ishin edhe 12 fëmijë, sipas morgut të Spitalit Shifa, ku u sollën trupat, përcjell AP.
Izraeli ka intensifikuar goditjet në ditët e fundit duke shkatërruar disa ndërtesa shumëkatëshe dhe duke akuzuar Hamasin se ka vendosur pajisje survejimi në to. Ushtria tha të shtunën se kishte goditur një tjetër kullë të përdorur nga Hamasi në zonën e Gaza City.
Banorëve iu është urdhëruar të largohen, pjesë e ofensivës për të marrë nën kontroll qytetin më të madh palestinez, që sipas Izraelit është bastioni i fundit i Hamasit.
Megjithatë, qindra mijëra persona vijojnë të mbeten të bllokuar aty, nën kushte urie.
Një nga sulmet gjatë natës goditi një shtëpi në lagjen Sheikh Radwan, duke vrarë 10 anëtarë të një familjeje, përfshirë një nënë dhe tre fëmijët e saj, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Shoqata Palestinase e Futbollit bëri të ditur se lojtari i Al-Helal Sporting Club, Mohammed Ramez Sultan, u vra bashkë me 14 anëtarë të familjes së tij. Pamjet tregonin re tymi pas shpërthimeve.
Ushtria izraelite nuk dha menjëherë një përgjigje për këto sulme.
Ndërkohë, Izraeli ka përsëritur thirrjen për largim të menjëhershëm nga qyteti. Në një mesazh në rrjetet sociale të shtunën, zëdhënësi i ushtrisë Avichay Adraee tha se më shumë se një çerek milioni njerëz ishin larguar nga Gaza City, nga rreth 1 milion që jetonin në veri të Rripit të Gazës.
OKB-ja megjithatë dha një shifër më të ulët, duke vlerësuar se rreth 100,000 persona janë larguar mes mesit të gushtit dhe mesit të shtatorit.
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se zhvendosja masive vetëm do ta përkeqësojë krizën, pasi zonat në jug ku po dërgohen njerëzit janë tashmë të mbipopulluara, dhe shumë familje nuk kanë mundësi financiare për transport ose strehim.
Një nismë e drejtuar nga OKB për sjelljen e strehëve të përkohshme në Gaza tha se mbi 86,000 tenda dhe furnizime të tjera vijojnë të presin leje për të hyrë në territor.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi të shtunën se shtatë persona, përfshirë fëmijë, vdiqën në 24 orët e fundit për shkak të urisë dhe mungesës së ushqimit, duke e çuar bilancin total në 420 viktima që nga fillimi i luftës – mes tyre 145 fëmijë.
Bombardimet e natës së të premtes në qytetin e Gazës erdhën pak ditë pasi Izraeli kreu një sulm që synonte udhëheqësit e Hamasit në Katar, duke intensifikuar fushatën kundër grupit dhe duke rrezikuar bisedimet për t’i dhënë fund luftës.