
Emigracioni është shndërruar në një fenomen kronik në Shqipëri, kur përveç ikjeve, po rritet nga viti në vit numri i personave që po marrin leje qëndrimi në vendet e Bashkimit Europian.
Të dhënat e fundit të Eurostat bënë të ditur se në vitin 2024 u dhanë mbi 79 mijë leje qëndrimi për shtetasit shqiptarë nga vendet e BE-së, 5,5 % më shumë se vitin e kaluar. Një vit më parë ishin dhënë rreth 75 mijë leje qëndrimi për herë të parë.
Të dhënat nga lejet e qëndrimit tregojnë se për një përshpejtim të ritmeve të emigracionit pas pandemisë.
Në 2023-2024 janë dhënë gjithsej 154 mijë leke qëndrimi për herë të parë. Duke qenë se një pjesë e madhe e të ikurve janë me kontrata pune, sidomos në shtete si Gjermania, dhënia e lejeve është më e shpejtë sesa dikur, kur shtetasit shqiptarë hynin në vendet e BE-së pa dokumente.
Që nga viti 2008, kur Eurostat raporton të dhënat kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë rreth 1 milionë shtetas shqiptarë.
Ikja në vendet e BE-së është një nga arsyet kryesore e rënies së ndjeshme të popullsisë. INSTAT gjeti në Censin e fundit se popullsia e vendit është reduktuar me 420 mijë persona në raport me Censin e mëparshëm të 2011. Në vend, sipas INSTAT tashmë jetojnë më pak 2.4 milionë persona.
Vetëm ata që kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në BE për periudhën 2011-2024 ishin rreth 743 mijë persona, sipas të dhënave të Eurostat.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor
