
Niko Peleshi u zgjodh kryetar i Kuvendit të Shqipërisë me 84 vota pro, duke zëvendësuar Elisa Spiropalin.
Zgjedhja e tij ka shkaktuar reagime të forta nga opozita. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e quajti Kuvendin “parlamenti i karteleve” dhe akuzoi Peleshin për korrupsion.
Berisha deklaroi se Peleshi ka pesë dosje në hetim, përfshirë çështje pronash në Kolonjë, dhe se duhet të ishte në burg, jo në krye të parlamentit.
“Niko Peleshi është me 5 dosje korrupsioni, është i akuzuar për prona në Kolonjë dhe zona të tjera kur ka qenë ministër Bujqësie. Ai është një qenie amorfe. Në vend që të shkojë në burg, merr kreun e parlamentit, vetëm se ka vjedhur bashkë me Ramën. Nuk kemi të bëjmë me qeveri, por me narko-qeveri.”- tha Berisha.
Berisha theksoi gjithashtu se sipas tij, në parlament janë përfaqësuar kartelet më të fuqishme të drogës në Europë, duke akuzuar shkelje të parimeve kushtetuese.