Vendosni fjalën kyçe....

Bjellorusia liron 52 të burgosur pas apelit të Trump


Bjellorusia ka liruar 52 të burgosur të kombësive të ndryshme, të cilët po udhëtojnë drejt Lituanisë së bashku me një delegacion amerikan që negocioi lirimin e tyre, njoftoi të enjten një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Vilnius.

Presidenti Donald Trump kishte bërë më herët thirrje që presidenti bjellorus, Alexander Lukashenko, të lironte personat që ai i ka përshkruar si “pengje”.

Ky është grupi më i madh i të burgosurve të falur deri më sot nga Lukashenko, i cili po përpiqet të rregullojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas viteve të izolimit dhe sanksioneve ndaj vendit të tij.

Megjithatë, lirimi i 52 personave është shumë më pak se totali prej 1,300 ose 1,400 të burgosurish për të cilët Trump kishte kërkuar lirimin gjatë një bisede telefonike me Lukashenkon muajin e kaluar dhe në postime të mëvonshme në rrjetet sociale.

“Një delegacion i udhëhequr nga SHBA, me ndihmësin e presidentit Trump, John Coale, është duke udhëtuar drejt Vilnius pas negociatave në Minsk, me 52 të burgosur të kombësive të ndryshme të liruar,” tha zëdhënësi i ambasadës, përcjell Reuters.

Agjencia shtetërore bjelloruse Belta raportoi se mes të liruarve ishin 14 shtetas të huaj nga Lituania, Letonia, Polonia, Franca, Britania dhe Gjermania.

Belta citoi gjithashtu Coale, avokat që vepron në emër të Trump, i cili tha se Trump i kishte bërë të qartë Lukashenkos se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë të rihapin ambasadën e tyre në Minsk.

Gjatë takimit në Minsk, Lukashenko priti Coale, i cili i dorëzoi një letër të Trump-it të firmosur thjesht me emrin “Donald”.

“Nëse Donald këmbëngul se është gati të pranojë të gjithë këta të burgosur të liruar, Zoti e bekoftë, le të përpiqemi të arrijmë një marrëveshje globale, siç i pëlqen zotit Trump të thotë, një marrëveshje e madhe,” tha Lukashenko, duke e lavdëruar gjithashtu presidentin amerikan për përpjekjet e tij për një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Coale e përshkroi firmosjen e letrës vetëm me emrin Donald si “një akt të rrallë miqësie personale”.

Lukashenko, aleat i ngushtë i presidentit rus Vladimir Putin, prej më shumë se tre dekadash udhëheq Bjellorusinë me dorë të hekurt.

Më 22 gusht, ai kishte deklaruar se nuk ishte i gatshëm të lironte “banditë” që mund të ktheheshin për të luftuar kundër shtetit.

Trump, ndërkohë, e ka quajtur Lukashenkon “një njeri shumë të respektuar, person i fortë, udhëheqës i fortë” dhe ka paralajmëruar se synon ta takojë personalisht.

Lirimi i të burgosurve ndodhi në një moment tensionesh të larta në luftën Rusi-Ukrainë, një ditë pasi Polonia rrëzoi dronë rusë që kishin hyrë në hapësirën e saj ajrore dhe në prag të një stërvitjeje të madhe të përbashkët mes ushtrisë ruse dhe asaj bjelloruse.

Bjellorusia kufizohet me tre shtete të NATO-s dhe me Ukrainën. Edhe pse Lukashenko i lejoi Putinit përdorimin e territorit bjellorus për pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, ushtria bjelloruse nuk ka marrë pjesë drejtpërdrejt në luftime.