
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbledhur grupin e ri parlamentar të PD-së, ku bëri publik rikonfirmimin e Gazment Bardhit në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar.
“Propozoj kryetarin e grupit të PD-së, Gazment Bardhi. Udhëhoqi grupin në kushte shumë të vështira. Me drejtimin e tij do të njohë performancë të re gjatë kohëve që vijnë. Dhe nënkryetar Kuvendi, Agron Gjekmarkaj,” u shpreh Berisha.
Në drejtimin e strukturave parlamentare të PD-së, Berisha caktoi edhe dy nënkryetarë të grupit, Belind Këlliçin dhe Tomorr Alizotin, të cilët i vlerësoi si “dy të rinj me formim dhe kontribut politik”.
Sekretare e grupit do të jetë deputetja Elda Hoti, ndërsa zëdhënëse u emërua Ledina Ajodhi.
Berisha bëri me dije se pas konstituimit të grupit, PD do të përcaktojë edhe përfaqësuesit e saj në komisionet parlamentare:
“Sot konstituojmë grupin dhe nesër dhe pasnesër caktojmë përfaqësuesit tanë në Komisionet Parlamentare. I uroj suksese Kryesisë së re. Së bashku do caktojmë përfaqësuesit tanë në komisione”, tha ai.
Ky është formati i ri i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, që sipas Berishës synon të forcojë rolin opozitar në Kuvend.