Vendosni fjalën kyçe....

Shenja të mundshme të jetës së lashtë mikrobtike gjenden në gurët e Marsit



Roveri i NASA-s, Perseverance, ka zbuluar në Mars forma të pazakonta në gurë, që mund të jenë dëshmi të mundshme të jetës mikrobtike të lashtë, e cila mund të ketë ekzistuar miliarda vite më parë në planetin e kuq, përcjell Guardian.

Gurët u gjetën në Neretva Vallis, një luginë e lashtë lumi që dikur derdhej në kraterin Jezero, ku roveri ka zbarkuar në vitin 2021. Gjatë eksplorimit në formacionin Bright Angel, në skajin verior të kësaj lugine, roveri regjistroi shenja të komponimeve organike dhe forma të pazakonta në sipërfaqe që ngjajnë me ato që krijohen nga mikrobet në Tokë.

Sean Duffy, drejtuesi në detyrë i NASA-s, tha në një konferencë për shtyp se kjo mund të jetë shenja më e qartë e jetës që është gjetur ndonjëherë në Mars.

Në raportin shkencor të botuar në revistën Nature, studiuesit theksuan se këto shenja duhet të konsiderohen si “potenciale biosinjale” – gjurmë që mund të tregojnë për praninë e jetës së lashtë. Por ata gjithashtu theksuan se këto veçori mund të jenë rezultat i reaksioneve kimike jo biologjike, ndaj është e nevojshme studimi i mëtejshëm.

Dr. Nicky Fox nga NASA tha: “Kjo nuk është jeta vetë, por një shenjë që ka mbetur pas. Mund të jetë e jetës së lashtë që ka ekzistuar miliarda vite më parë.”

Shkencëtarët besojnë se mineralet e gjetura në gurë, si vivianiti dhe greigiti, mund të jenë formuar nga reaksione mes balteje dhe materies organike, procese që në Tokë ndodhin shpesh për shkak të aktivitetit mikrobtik.

Megjithatë, për të konfirmuar nëse këto shenja janë me të vërtetë dëshmi të jetës së lashtë, shkencëtarët presin të analizojnë mostrat e marra nga roveri kur të kthehen në Tokë — një mision që deri tani është vonuar dhe është në dyshim për shkak të reduktimeve në buxhetin e NASA-s.

Zhvillimet e fundit nxisin kërkime të reja për të kuptuar nëse këto veçori janë produkt i jetës apo i proceseve kimike të thjeshta, duke i afruar njerëzit një hap më pranë përgjigjes së një prej pyetjeve më të mëdha: A jemi vetëm në univers?