
Policia franceze arrestoi qindra persona të mërkurën gjatë protestave të përhapura në gjithë vendin, pasi demonstruesit u zotuan të “bllokojnë gjithçka” dhe të paralizojnë aktivitetin e vendit.
Manifestimet shpërthyen në një moment të tensionuar politik, ndërsa presidenti Emmanuel Macron emëroi kryeministrin e ri Sébastien Lecornu për të udhëhequr një parlament të bllokuar.
Lecornu, një besnik i qendrës së djathtë dhe aleat i afërt i Macron, është kryeministri i tretë i Francës brenda më pak se një viti. Emërimi i tij është pritur me zemërim nga protestuesit, të cilët e shohin si një tjetër shenjë se Macron po shpërfill kërkesat e publikut.
“Qeveria ka mbyllur sytë përballë çështjeve madhore, nga ndryshimet klimatike te lufta në Gaza dhe kriza ekonomike,” tha për France 24 Anna, një protestuese 23-vjeçare në Paris.
Në kryeqytet, situata u tensionua kur një restorant në qendër u përfshi nga flakët gjatë përplasjeve me policinë.
Pamjet televizive treguan zjarrfikësit duke shuar flakët, ndërsa një burrë u pa duke zbritur nga një skelë për t’i shpëtuar zjarrit.
Sipas sindikatës më të madhe studentore, L’Union étudiante, rreth 80 mijë studentë iu bashkuan protestave, duke e cilësuar pjesëmarrjen si “historike”.
Në të njëjtën kohë, themeluesi i Telegram, Pavel Durov, deklaroi se ishte “krenar” që platforma e tij ishte përdorur për të organizuar demonstratat, megjithëse ai vetë është nën hetim në Francë për çështje të lidhura me përdorimin e aplikacionit në aktivitete kriminale.
Në Paris, shumë protestues kërkuan dorëheqjen e Macron-it.
“Jemi lodhur nga presidenca e tij,” tha Thomas, 30 vjeç, në Place de la République.
Protesta të mëdha u zhvilluan edhe në qytete të tjera: në Marsejë morën pjesë deri në 30 mijë vetë sipas organizatorëve, ndërsa policia raportoi 8 mijë; në Lion rreth 8 mijë, dhe në Monpelje 6 mijë sipas autoriteteve, me pankarta kundër kapitalizmit dhe në mbrojtje të shërbimeve publike.
Nga ana politike, reagimet nuk munguan. Jordan Bardella, kreu i partisë së djathtë ekstreme Rassemblement National, paralajmëroi se zgjedhja e Lecornu “forcon një rrugë të pasigurt për politikën franceze” dhe parashikoi se administrata e tij do të jetë “e paqëndrueshme”.
Ndërsa liderja e së djathtës ekstreme, Marine Le Pen, tha se emërimi do të përfundojë si një tjetër dështim për Macron.
“Presidenti po luan kartën e fundit të makronizmit,” u shpreh ajo, duke parashikuar se Macron do të detyrohet të thërrasë zgjedhje të reja për të zgjidhur ngërçin parlamentar.