
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar sot lidhur me një incident ku, sipas saj, vajzat e saj të mitura janë përndjekur dhe incizuar pa autorizim në një shkollë private ku ato studiojnë.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka njoftuar se kameramani i televizionit “Paparaci”, Jetmir Muji, është penguar fizikisht dhe është ndaluar nga mbrojtja e afërt e presidentes gjatë xhirimeve në këtë shkollë. Kamera i është konfiskuar dhe xhirimet i janë kërkuar të fshihen, ndërsa Muji më pas është arrestuar dhe ndodhet në stacionin policor në Prishtinë.
Në një reagim zyrtar, presidentja Osmani ka thënë se gazetarët kanë rrezikuar sigurinë e vajzave të saj, duke publikuar pa leje vendndodhjen, klasat dhe pamjet e tyre, pavarësisht moshës së mitur dhe masave ligjore që mbrojnë fëmijët e familjeve të presidentëve. Ajo theksoi se policia është prezente për të mbrojtur vajzat, pasi ato janë në kategorinë e rrezikshmërisë së lartë.
Osmani shtoi se fëmijët e mitur nuk janë subjekt i interesit publik dhe se ekspozimi i tyre i paautorizuar mund të shkaktojë rrezik për sulme, kërcënime apo kidnapim. Presidentja paralajmëroi masa ligjore ndaj mediave dhe gazetarëve që cenojnë sigurinë e vajzave të saj dhe që sipas saj, tentojnë të bëjnë përndjekje.
Në reagim, ajo përmendi edhe sfidat e shkollës publike ku vajzat e saj kanë ndjekur mësimin për pesë vite dhe theksoi se ndryshimi i shkollës është bërë për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe ndryshimit të vendbanimit.