
Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, shmangu një pyetje në një intervistë për CNN lidhur me fatin e udhëheqësit të Hamasit, Khalil al-Hayya, pas sulmit izraelit në Doha. Ai tha se “ende nuk ka një deklaratë zyrtare”, përcjell YNetNews.
Sipas tij, disa zyrtarë katarezë janë plagosur rëndë nga sulmi dhe po trajtohen në spital, ndërsa një oficer sigurie 22-vjeçar humbi jetën.
Ai shtoi: “Po përpiqemi të identifikojmë nëse ka persona të tjerë të zhdukur. Ka katarezë në gjendje shumë të rrezikshme. E gjithë rajoni i Gjirit është në rrezik. Po shqyrtohet një përgjigje së bashku me partnerët në rajon.”