Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë – Fillon më 17 shtator votimi për diasporën në zgjedhjet lokale 2025



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se më 17 shtator 2025 fillon procesi i votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit në kuadër të Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe Kuvendet Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.

Ky proces përfshin rreth 44 mijë qytetarë, të cilët janë regjistruar gjatë periudhës 23 korrik – 29 gusht 2025 për të votuar jashtë vendit përmes postës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi përmes postës është mënyra e vetme për votuesit që jetojnë jashtë Kosovës në këto zgjedhje lokale. Sipas tij, votimi do të zgjasë deri më 11 tetor, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë.

“Në Zgjedhjet Lokale nuk parashihet votim në përfaqësi diplomatike. Votuesit që janë regjistruar për votim përmes postës do të pranojnë fletëvotimet në adresat e tyre të deklaruara gjatë regjistrimit”, theksoi Elezi.

Ndryshe nga proceset e mëparshme, kësaj here fletëvotimet nuk do të shkarkohen nga uebfaqja e KQZ-së, por do të dërgohen direkt nga KQZ në adresën postare të deklaruar nga secili votues. Çdo votues do të marrë dy fletëvotime: një për Kryetar Komune dhe një për Kuvend Komunal.

KQZ ka bërë të ditur se së shpejti do të publikohen edhe adresat e kutive postare që do të hapen në shtete të ndryshme për pranimin e votave nga jashtë.

Gjithashtu, KQZ ka sqaruar se votuesit që janë regjistruar për të votuar jashtë vendit nuk do të jenë pjesë e Listës së Votuesve brenda Kosovës, prandaj nuk do të mund të votojnë fizikisht në Kosovë më 12 tetor. Ndërkaq, ata që nuk janë regjistruar për votim nga jashtë, emrin e tyre do ta gjejnë në Listën e Votuesve në vendvotimet përkatëse në Kosovë.