
Shtatë janë kandidatët e mbetur në garë për kreun e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët kërkojnë që pas disa javësh të marrin drejtimin e “FBI-së” shqiptare dhe të punojnë nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, për hetimin e krimit dhe korrupsionit.
Një ndër emrat më pretendent për drejtimin e këtij institucioni kyç është Joni Keta, oficer i Byrosë Kombëtare, zëvendësdrejtor dhe aktualisht drejtues i komanduar, për shkak të mbarimit të mandatit të Aida Hajnaj.
Ai ka një karrierë vetëm në ngjitje në fushën e zbatimit të ligjit në Shqipëri.
Joni Keta ka shërbyer si Oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pas shkrirjes së kësaj prokurorie dhe marrjen e kompetencave nga Prokuroria e Posaçme, e njohur si SPAK, Joni Keta garon për t’u përfshirë në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Ky institucion konsiderohet si “FBI-ja shqiptare” dhe oficerët specialë garantojnë zbatimin e ligjit në kryerjen e hetimeve cilësore në fushën e veprave penale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nën udhëheqjen e Prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, me qëllim parandalimin, zbulimin, goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Joni Keta është ndër oficerët e parë të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe një vit më parë, në 2024, ai garoi bashkë me gjashtë kolegë të tjerë për të marrë postin e zëvendësit të Aida Hajnaj. Në fund të garës, Joni Keta u zgjodh fitues dhe sot shërben si zëvendës drejtues i BKH-së dhe njëherësh drejtues i komanduar.
Newsbomb.al mëson gjithashtu, se ai është djali i prokurorit Hysen Keta, i cili për pesë vite ka drejtuar Prokurorinë e Përmetit.
Hysen Keta e ka nisur karrierën e tij në vitin 1979 dhe përveç pozicionit si prokuror, ai ka punuar për një periudhë edhe si avokat. Për më shumë se një dekadë, ai e ka ushtruar funksionin në Prokurorinë e Përgjithshme, ndërsa në vitin 2015 u transferua me dekret të Presidentit në Prokurorinë e Tiranës.

Në vitin 2017, Keta u komandua drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor të Përmetit, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 2022, kur u komanduar si Këshilltar i Etikës në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për një mandat 5-vjeçar. Hysen Keta u shkarkua nga shkalla e parë e vettingut por arriti t’i provonte KPA-së se duhet të kthehej në detyrë dhe ashtu ndodhi. Vendimi i parë u prishë.
Gjithashtu, redaksia e newsbomb.al mëson se Joni Keta është gjithashtu djali i profesoreshës së njohur Majlinda Keta, e cila aktualisht shërben si lektore pranë Departamentit të Filozofisë në Universitetin e Tiranës.
Ajo njihet publikisht si aktiviste e të majtës shqiptare (vitet e fundit mban një profil të ulët publik) dhe ndër themelueset e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Mirëpo, pas mandatit të parë qeverisës të Edi Ramës, Majlinda Keta u rreshtua publikisht në anën e kritikëve të pushtetit, duke e ndarë Partinë Socialiste nga Rilindja.

Në një nga shumë intervistat për median e shkruar dhe atë vizive gjatë mandatit të dytë të Partisë Socialiste, ish-anëtarja e Asamblesë Kombëtare u shpreh publikisht se Partia Socialiste kishte vdekur dhe “Rilindja” përfaqësonte një grupim klanesh dhe interesash, që i shërbenin Edi Ramës, por qeverisja e saj nuk kishte asnjë program të majtë.
Karriera vetëm në rritje e Joni Ketës nuk mund të ishte krejt rastësore. Ai është veç të tjerash nipi i Bahri Shariqit, ish-drejtuesit më jetëgjatë të Shërbimit Informativ të Shtetit, i cili ka shërbyer dhe si zëvendësministër në qeverinë “Rama 1”, si dhe Këshilltar i Presidentit të Republikës.
Sakaq, edhe stërgjyshi i tij që mbante emrin që e ka ngjallur sot daja, Bahri Shaqiri i parë i cili ka spikatur si veprimtar në organizimin e Lëvizjes Antifashiste në Shqipëri e Kosovë dhe Luftën Nacional Çlirimtare, përcjell newsbomb.al.

Megjithatë, gara mbetet e hapur për të shtatë kandidatët sepse ata janë ndër zbatuesit më profesionistë të ligjit dhe gara për drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit pritet të jetë vërtet tepër e fortë. Do të jetë treshja e prokurorëve e përbërë nga Altin Dumani, Arben Kraja dhe Behar Dibra ajo që do të zgjedhë drejtuesin e ri të BKH-së në përfundim të 6 fazave.
Andi Pogaçe, Artur Beu, Elton Kërluku, Gentian Ndoi, Gentjan Shehaj, Gledis Nano dhe Joni Keta janë kandidatët e kualifikuar në garën për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Newsbomb.