
Një paralajmërim publik nga Emiratet e Bashkuara Arabe e shtyu qeverinë izraelite të hiqte dorë nga një diskutim i planifikuar mbi aneksimin e Bregut Perëndimor, raportoi Ëashington Post. Një diplomat i lartë i Emirateve të Bashkuara Arabe thuhet se i tha mediave izraelite më parë këtë javë se ky veprim do të ishte një “vijë e kuqe” që do bllokonte rrugën e Izraelit drejt integrimit rajonal, shkruan RT.
Kryeministri izraelit Netanyahu ishte planifikuar të diskutonte çështjen në një takim qeveritar të premten, sipas mediave lokale. Të mërkurën, e dërguara speciale e Emirateve të Bashkuara Arabe, Lana Nusseibeh, i tha Times of Israel se aneksimi do “pengonte idenë e integrimit rajonal”.
“Për çdo kryeqytet arab me të cilin flisni, ideja e integrimit rajonal është ende një mundësi, por aneksimi për të kënaqur disa nga elementët radikalë ekstremistë në Izrael do e heqë këtë nga tavolina”, deklaroi ajo.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin kombi i parë arab që normalizoi marrëdhëniet me Izraelin në më shumë se një çerek shekulli sipas Marrëveshjeve të Abrahamit të ndërmjetësuara nga presidenti i SHBA-së Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë në detyrë.
Paralajmërimi publik nga Abu Dhabi “erdhi si një surprizë”, tha një zyrtar izraelit për Jeruasalem Post, duke e quajtur gjendjen “shumë të pazakontë”.
Të enjten, çështja e aneksimit u hoq nga axhenda e takimit ministror izraelit, sipas gazetës.
Uashingtoni nuk ka marrë një qëndrim për këtë çështje deri më tani. Sekretari i Shtetit Marco Rubio e përshkroi aneksimin e mundshëm si “jo një gjë përfundimtare” më parë këtë javë, duke shtuar se ai “nuk do shprehte mendimin e tij për këtë”.
Bregu Perëndimor u rikthye në qendër të vëmendjes më parë këtë vit pasi një grup ministrash izraelitë kërkuan që territori të aneksohej zyrtarisht. Ministri i Financave Bezalel Smotrich pretendoi se kontrolli mund të vendoset në çdo moment.
Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor nga Jordania në luftën arabo-izraelite të vitit 1967 dhe ka ndërtuar në mënyrë aktive vendbanime atje, gjë që konsiderohet gjerësisht si e paligjshme nga bashkësia ndërkombëtare. Ishte afër aneksimit në vitin 2020, por hoqi dorë nga ideja në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.