
Partia më e madhe opozitare e Turqisë do ngrejë padi dhe do nisë protesta të mëdha që do e “paralizojnë jetën në vend” nëse qeveria vazhdon me një “grusht shteti” ligjor kundër udhëheqjes së saj, tha figura e saj më e lartë.
Özgür Özel, kryetar i Partisë Republikane Popullore (CHP), i tha Financial Times se presidenti Rexhep Tajip Erdogan po përpiqej të krijonte një sistem njëpartiak të stilit rus në Turqi dhe se CHP ishte “pengesa e fundit” që e pengonte.
Özel foli pas një vendimi nga një gjykatë e shkallës së parë turke këtë javë, e cila tha se emërimi i vitit 2023 i kreut të provincës së Stambollit nga CHP-ja ishte i pavlefshëm – një vendim historik që mund të kufizojë çdo sfidë zgjedhore në të ardhmen ndaj pushtetit më shumë se dy dekadash të Erdoganit.
Qeveria “organizoi një grusht shteti kundër partisë së ardhshme në pushtet”, tha Özel në një intervistë.
“Ata po përpiqen të shkatërrojnë partinë që fitoi zgjedhjet e fundit, ishte partia themeluese e republikës turke, është partia që kryeson çdo sondazh…Po përballemi me një qeveri autoritare dhe e vetmja mundësi është të rezistojmë”, tha ai.
“Nëse CHP bie, edhe Turqia do bjerë.”
Asetet financiare turke ranë menjëherë pas vendimit të kësaj jave, i cili krijoi një precedent për një çështje më të rëndësishme më 15 shtator, që mund të çojë në zëvendësimin e Özel dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të CHP me të emëruar miqësorë me qeverinë – duke asgjësuar rivalin më të madh të qeverisë.
Në të dyja rastet, CHP është akuzuar për “parregullsi” të dyshuara, të tilla si pagesat në para, që ndikuan në përzgjedhjen e zyrtarëve të lartë të partisë në konventat e brendshme të CHP, përfshirë kongresin e vitit 2023 që zgjodhi Özel. CHP i mohon me forcë akuzat.
Duke folur në selinë e partisë së tij në Ankara, Özel tha se besonte që gjykatat e ulëta të Turqisë nuk kishin autoritetin ligjor për të vendosur mbi çështjet zgjedhore – të cilat janë juridiksion i gjykatave më të larta – dhe se CHP nuk do t’i njihte vendime të tilla. Por, shtoi ai, nëse “Erdoğan po luan një lojë të ndyrë, edhe ne mund ta luajmë atë lojë dhe t’i përgjigjemi atij me të njëjtën dinakëri”.
Një mundësi, të cilën CHP po e shqyrtonte, është të nisë çështje që sfidojnë vlefshmërinë e të gjitha zgjedhjeve të kaluara – duke përfshirë ato që Erdogan ka fituar, siç është referendumi i vitit 2017 që vendosi sistemin presidencial të Turqisë dhe zgjeroi fuqitë e Erdoganit.
Këshilli zgjedhor i Turqisë kishte vendosur në mënyrë të diskutueshme gjatë votimit të ngushtë se do t’i konsideronte fletët e votimit pa vulë si të vlefshme nëse nuk provoheshin të ishin të falsifikuara. Vëzhguesit e zgjedhjeve të Këshillit të Evropës më pas e kritikuan këtë veprim.

“Duhet pranuar se jo të gjithë gjyqtarët në Turqi janë nën kontrollin e Erdoganit”, tha Özel. Megjithatë, ky veprim ishte “i rrezikshëm”, shtoi ai, pasi do dëmtonte më tej sundimin e ligjit në Turqi dhe ndërkohë që “Erdogan është i paligjshëm, CHP-ja është ligjvënëse”.
Qeveria këmbëngul se gjykatat e Turqisë janë të pavarura, por CHP-ja, e themeluar më shumë se një shekull më parë nga Mustafa Kemal Ataturku, themeluesi i republikës, thotë se kjo dhe raste të tjera kundër saj janë të motivuara politikisht.
Özel tha se partia kishte plane të tjera të ndryshme se si t’i përgjigjej shtypjes, duke përfshirë “veprime paqësore, por shumë efektive të mosbindjes civile që do ndalin jetën” në Turqi.
Ai ka sugjeruar që turma “jo prej milionash, por dhjetëra milionash” mund të mblidhen, por nuk pranoi të japë hollësi.
Hollësistë e betejës ligjore janë të ndërlikuara dhe të diskutueshme. Por ato vijnë ndërsa sondazhet tregojnë se CHP do e mundte partinë qeverisëse për Drejtësi dhe Zhvillim të Erdoganit nëse zgjedhjet do mbaheshin sot.
Arrestimi për akuza korrupsioni i kryetarit të bashkisë së Stambollit dhe kandidatit presidencial të CHP-së, Ekrem Imamoglu, në mars shkaktoi një panik financiar dhe protestat më të mëdha të Turqisë në më shumë se një dekadë.
Përveç Stambollit, i cili përbën një të tretën e PBB-së së Turqisë, disa qytete të tjera të mëdha kanë kaluar së fundmi nën kontrollin e CHP-së.
Në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, CHP fitoi gati 38 përqind të votave, duke u bërë partia kryesore në vend për sa i përket përqindjes së votave.
“Erdogan e di se nuk mund të fitojë më zgjedhje. Kjo është arsyeja pse ai dëshiron parti opozitare të dobëta, si në Rusi”, tha Özel.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani