
Sot, më 7 shtator 2025, shënohen 35 vjet nga shpallja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e njohur ndryshe si “Kushtetuta e Kaçanikut” – një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë moderne të vendit.
Kushtetuta u miratua më 7 shtator 1990, në qytetin e Kaçanikut, në një organizim të fshehtë, për shkak të pranisë masive të forcave policore dhe ushtarake serbe, të cilat kishin nisur një spastrim të institucioneve kosovare dhe largimin sistematik të shqiptarëve nga pozitat zyrtare.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese më 2 korrik 1990 – e njohur edhe si “Deklarata e Pavarësisë” – delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, të njëjtët që kishin firmosur aktin e parë, miratuan aktin më të lartë juridik: Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Me këtë, Kosova u shpall formalisht Republikë brenda federatës jugosllave.
Kaçaniku u zgjodh për këtë akt historik për shkak të afërsisë me kufirin e Maqedonisë së Veriut (ish-Republikës së Maqedonisë), që e bënte më të lehtë lëvizjen dhe sigurimin e delegatëve. Pavarësisht rrezikut të madh, delegatët u mblodhën dhe hodhën bazat për një shtet të pavarur dhe sovran.
Kushtetuta e Kaçanikut nuk pati zbatim praktik për shkak të rrethanave të asaj kohe dhe represionit serb, por ajo u kthye në një simbol të vullnetit politik të popullit shqiptar të Kosovës për vetëvendosje dhe pavarësi.
7 Shtatori cilësohet si datë themelore në identitetin politik dhe historik të Kosovës, duke shënuar fillimin e epokës së re të shtetformimit, që do të përmbyllej më 17 shkurt 2008 me shpalljen e pavarësisë së plotë të Republikës së Kosovës.