
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shprehu të premten zhgënjimin e tij, duke thënë se India dhe Rusia duket se po “humbin” për Kinën pas takimit të liderëve në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) në Tianjin, ku ishin edhe Kryeministri indian Narendra Modi dhe Presidenti rus Vladimir Putin, përcjell Reuters.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump shkroi: “Duket sikur kemi humbur Indinë dhe Rusinë për Kinën më të thellë dhe më të errët. Uroj që të kenë një të ardhme të gjatë dhe të begatë së bashku!” Postimi shoqërohej me një foto ku ishin të tre liderët bashkë.
Megjithatë, më vonë gjatë ditës, Trump tha se nuk mendonte se SHBA-ja e kishte humbur Indinë për Kinën. Ai shtoi se ishte i zhgënjyer që India po blente sasi të mëdha nafte nga Rusia dhe se ua kishte bërë këtë të qartë autoriteteve indiane.
Ministria e Jashtme e Indisë nuk komentoi mbi deklaratën e Trump, ndërsa Kina dhe Rusia nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Gjatë samitit, Modi dhe Putin u panë duke u mbajtur dorë për dore teksa përshëndesnin Xi Jinping, duke treguar afërsinë mes tyre. Trump tha se e respekton dhe e vlerëson shumë Modin si lider dhe se marrëdhëniet SHBA-Indi mbeten të veçanta, edhe pse ka pasur momente tensioni.
Kryeministri Modi iu përgjigj në platformën X, duke thënë se vlerësonte shumë fjalët pozitive të Trump dhe se marrëdhënia mes Indisë dhe SHBA-së është një partneritet strategjik dhe me perspektivë të gjatë.
Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Indisë janë tensionuar kohët e fundit për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare dhe çështjeve të tjera, ndërsa Trump shprehu gjithashtu frustrimin e tij për luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se planifikon të flasë së shpejti me Putinin.