Vendosni fjalën kyçe....

Të hënën nis viti i ri shkollor, Manastirliu: Këtë vit do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie


Në prag të nisjes së vitit të ri shkollor 2025-2026, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me punonjësit socialë, psikologët dhe oficerët e sigurisë në shkolla, duke theksuar përmirësimet në modulet, protokollet dhe mjetet digjitale të punës.

Ministrja nënvizoi rëndësinë e platformës elektronike SMIP për raportimin dhe gjurmimin e informacionit në kohë reale dhe theksoi përforcimin e pranishmërisë së oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore.

Ky vit shkollor do të nisë me mbi 390 oficerë sigurie, ndërsa rekrutimi për fazën e parë ka siguruar më shumë se 60 oficerë shtesë që do të jenë aktivë nga data 8 shtator, me pjesën tjetër brenda javës së parë të tetorit.

Ministrja theksoi gjithashtu rolin e punonjësve socialë dhe psikologëve në ndihmën dhe mbrojtjen e nxënësve, duke u bazuar në eksperiencat dhe sjelljet e tyre brenda shkollës, si dhe rëndësinë e raportimit të rasteve në mënyrë të gjurmueshme dhe të aksesueshme për mësuesit dhe drejtuesit e shkollave.

“Tashmë ne kemi disa dokumente të përmirësuara e të përditësuara, të cilat garantojnë që oficeri i sigurisë në shkollë, punonjësi social dhe psikologu të kenë më shumë instrumente ndihmës edhe për rastet që duhet t’i raportojnë në kohë reale.

Kemi vënë në dispozicion edhe platformën elektronike SMIP për informacionin e shpejtë, për ta aksesuar në kohë reale, informacion i cili jo vetëm mbetet i gjurmueshëm në sistem, i aksesueshëm nga drejtoria e shkollës dhe mësuesit kujdestar, por edhe në arkivën elektronike të shkollës.

Plani individual i edukimit për nxënësit duhet të bazohet mbi eksperiencat dhe sjelljet e nxënësit brenda shkollës”.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje edhe përforcimin e pranishmërisë së oficerëve të sigurisë në institucionet arsimore dhe shtrirjen e shërbimit psiko-social në sistemin arsimor parauniversitar.

“Ju jeni kolonat që mbani sigurinë dhe mbrojtjen e fëmijëve tanë. Tashmë i kemi të gjitha instrumentet nga njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, tek mekanizmat koordinues kundër dhunës e bullizmit, deri te sistemet e informacionit digjital që janë në funksion të punës suaj dhe kontaktit të drejtpërdrejtë.

Por ajo që është e rëndësishme, është që ne do të kemi më shumë oficerë sigurie në shkolla. Këtë vit të ri shkollor, do të kemi më shumë se 390 oficerë sigurie.

Po punojmë fort, dhe Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar, së bashku me Akademinë e Sigurisë, po trajnojnë të gjithë ata që kanë shprehur vullnetin për t’u bërë pjesë e oficerëve të sigurisë në shkolla.

Menjëherë është hapur rekrutimi për fazën e parë, ku më shumë se 60 oficerë sigurie do të jenë në shkolla në datën 8 shtator, dhe pjesa tjetër brenda javës së parë të tetorit.

Pra do të kemi rreth 400 oficerë sigurie në shkolla dhe do të vijojmë të rrisim numrin e oficerë e të sigurisë duke vijuar nga viti i ardhshëm 2026. Kemi sot dhe një përmirësim të raportit të punonjësve socialë dhe psikologëve për nxënësit”.