Vendosni fjalën kyçe....

Sllovenia tërheq nga tregu speca të kuq të eksportuara nga Shqipëria për shkak të nivelit të lartë të pesticideve


Autoritetet në Slloveni kanë tërhequr nga tregu një sasi specash të kuq të importuara nga Shqipëria, pasi në to janë zbuluar nivele të larta të pesticideve të ndaluara. Kjo vjen pas disa rasteve të mëparshme në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë ku u bllokuan dhe asgjësuan ngarkesa të ndryshme me fruta e perime shqiptare për arsye të njëjta.

Kompania sllovene Geaprodukt, e cila merret me tregtimin e frutave dhe perimeve, u ka kërkuar konsumatorëve që kanë blerë këto speca të mos i konsumojnë, por t’i kthejnë në dyqanet ku i kanë blerë ose t’i hedhin në mbeturina për shkak të rrezikut për shëndetin. Në analizat laboratorike janë identifikuar pesticide si acetamiprid, formetanate dhe flonicamidnë nivele që tejkalojnë ndjeshëm normat e lejuara.

Produktet e kontaminuara ishin eksportuar nga Shqipëria në periudhën 24 gusht – 4 shtator 2025, të paketuar në kuti kartoni dhe më pas në qese plastike.

Sipas të dhënave të sistemit evropian RASFF, ky është një rast alarmues që kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të mbrojtur konsumatorët. Vetëm në muajin korrik, disa ngarkesa të tjera me speca nga Shqipëria janë bllokuar në Kroaci dhe Slloveni për arsye të ngjashme.

Autoritetet në Slloveni kanë rekomanduar gjithashtu që personat që kanë qenë në kontakt me produktet e kontaminuara të dezinfektojnë duart për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm.