Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Arsimit publikon Kodin e ri të Etikës për mësuesit parauniversitarë



Ministria e Arsimit ka bërë publik Kodin e ri të Etikës për mësuesit në arsimin parauniversitar, një dokument i ri që përcakton rregulla të qarta mbi etikën, sjelljen, marrëdhëniet me nxënësit, prindërit dhe komunitetin, si dhe përdorimin e teknologjisë dhe rrjeteve sociale.

Sipas Kodit të ri, mësuesit në arsimin bazë dhe të mesëm në Shqipëri do të duhet të përmbahen nga postimet e papërshtatshme në rrjetet sociale, duke ruajtur gjithmonë imazhin dhe misionin e tyre edukativ. Në pikën 1 të nenit 9, theksohet se “Mësuesi kujdeset që ndërveprimi në rrjete apo platforma sociale të mbështetet gjithmonë në standardet etike të komunikimit në publik”.

Në një kohë kur teknologjia dhe rrjetet sociale janë pjesë integrale e jetës së përditshme, Kodi i ri vendos edhe detyrimin për mësuesit që të edukojnë nxënësit mbi rreziqet online. Dokumenti kërkon që mësuesit të promovojnë etikën dhe sjellje të përgjegjshme, duke mësuar nxënësit si të përdorin në mënyrë të sigurt platformat digjitale dhe si të dallojnë informacionin e rremë, duke nxitë mendimin kritik.

Një tjetër pikë e re e Kodit është përfshirja e veshjes dhe paraqitjes së jashtme të mësuesve në udhëzime, duke u dhënë rëndësi mënyrës se si ata paraqiten përballë nxënësve.

Ky Kod shërben si një udhëzues i qartë për etikën, sjelljen dhe përgjegjësitë e mësuesve, jo vetëm në raport me nxënësit, por edhe me prindërit, kolegët dhe komunitetin e gjerë. Ai thekson rëndësinë e përdorimit të një gjuhe të qartë, edukative dhe motivuese, respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të çdo nxënësi, si dhe përgjegjësinë për parandalimin dhe ndërhyrjen ndaj bullizmit dhe çdo forme dhune apo përjashtimi social në shkolla.