Vendosni fjalën kyçe....

Qindra punëtorë të arrestuar në një bastisje të madhe të ICE në fabrikën e Hyundai në SHBA


Qindra punëtorë në një fabrikë që po ndërtohet në Georgia për prodhimin e baterive të makinave elektrike Hyundai dhe Kia u arrestuan në një bastisje masive të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) të enjten, bastisje që ndaloi punimet e ndërtimit.

Fabrika është pjesë e investimit më të madh industrial në historinë e shtetit dhe ishte përshëndetur nga guvernatori republikan i Georgias, Brian Kemp, si një nxitje e madhe për ekonominë.

Sipas zyrës së Departamentit të Drejtësisë në Atlanta, të paktën 450 persona u arrestuan.

Megjithatë, gazeta Korea Economic Daily raportoi se numri i të ndaluarve ishte rreth 560, duke iu referuar burimeve të industrisë, përcjell The Guardian.

Rreth 300 prej tyre janë shtetas të Koresë së Jugut, sipas mediave vendase. Hyundai Motor është kompani koreano-jugore, por ka shumë fabrika ndërkombëtare.

Bastisja përbën një goditje për projektin e madh të kompanisë në Georgia dhe është shembull i ashpërsimit të fushatës së presidentit Donald Trump për dëbimet masive të emigrantëve në SHBA.

Ajo gjithashtu tregoi ndikimin shqetësues që kjo politikë ka për bizneset, edhe pse Shtëpia e Bardhë kërkon të tërheqë më shumë investitorë të huaj.

Një agjent i Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS) tha se disa agjenci federale, përfshirë ICE, FBI dhe DEA, “kryen një operacion të autorizuar nga gjykata, pasi po hetohen praktika të paligjshme punësimi”.

“Arrestimet po kryhen”, deklaroi Steven Schrank, agjent special përgjegjës për hetimet e sigurisë kombëtare në Georgia.

Një zyrtar i qeverisë së Koresë së Jugut konfirmoi se shtetasit e arrestuar po mbahen në një qendër paraburgimi të ICE.

Ministria e Jashtme e Koresë së Jugut shprehu shqetësim dhe theksoi se “aktivitetet ekonomike të kompanive tona që investojnë në Shtetet e Bashkuara dhe interesat e qytetarëve tanë nuk duhet të cënohen gjatë proceseve të zbatimit të ligjit në SHBA”.

Fabrika e baterive, një sipërmarrje e përbashkët midis Hyundai Motor dhe kompanisë koreane LG Energy Solution (LGES), pritej të fillonte punën në fund të këtij viti për të furnizuar makinat elektrike.

Një zëdhënës i Hyundai-GA Battery në Georgia tha se kompania po bashkëpunon plotësisht me autoritetet dhe ka ndalur përkohësisht punimet. Hyundai Motor shtoi se prodhimi i makinave elektrike në impiantin e ri nuk është prekur.

Në vitin 2023, Hyundai dhe LGES njoftuan për një investim prej 4.3 miliardë dollarësh për prodhimin e qelizave të baterive për modelet Hyundai, Kia dhe Genesis. Fabrika e baterive është pjesë e një investimi total prej 12.6 miliardë dollarësh të Hyundai në Georgia – projekti më i madh ekonomik në historinë e shtetit – i shpallur në një kohë kur Trump po ashpërsonte tarifat tregtare.

Pamje të publikuara në rrjetet sociale treguan agjentë federalë duke u thënë punëtorëve: “Kemi një urdhër kontrolli për të gjithë kantierin. Ndërtimi duhet të ndalojë menjëherë.”

Trump ka deklaruar se synon të deportojë “më të këqinjtë e më të këqinjtë”, por të dhënat tregojnë rritje të ndalimeve të emigrantëve pa precedent kriminal. Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë dënuar bastisje të tilla.

Përveç operacionit në Georgia, një tjetër bastisje e madhe e ICE u krye të enjten në shtetin e Nju Jorkut, në fabrikën Nutrition Bar Confectioners pranë Syracuses, ku u ndaluan dhjetëra punëtorë.

Guvernatorja demokrate e Nju Jorkut, Kathy Hochul, reagoi ashpër: “Jam e indinjuar nga bastisjet e ICE në Cato dhe Fulton, ku u arrestuan mbi 40 të rritur, përfshirë prindër të të paktën një duzine fëmijësh që rrezikojnë të kthehen nga shkolla në një shtëpi bosh.

Ne nuk do të pranojmë që agjentë të maskuar të ndajnë familje dhe të braktisin fëmijë.”

Grupi Rural & Migrant Ministry tha se vlerëson se mbi 70 punëtorë janë arrestuar vetëm në këto operacione.