Vendosni fjalën kyçe....

Presidenti i Malit të Zi kërkon të rishfaqet filmi në gjuhën shqipe që u ndalua me forcë



Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, përmes kabinetit të tij ka dënuar ndërprerjen me forcë të filmit “Lejleku” të regjisorit kosovar Isa Qosja, që po shfaqej më 3 shtator në kuadër të festivalit të filmit Xhada në Podgoricë. Filmi, i cili është në gjuhën shqipe, u ndërpre pas reagimeve dhe thirrjeve agresive nga një grup qytetarësh që kundërshtuan shfaqjen e një vepre artistike në këtë gjuhë.

Kabineti presidencial e cilësoi ngjarjen si “shqetësuese dhe të papranueshme”, duke theksuar se incidenti përbën diskriminim dhe mungesë tolerance, vetëm sepse filmi ishte në gjuhën shqipe.

“Presim që policia dhe Zyra e Prokurorit t’i identifikojnë autorët dhe t’i ndjekin penalisht. Është e rëndësishme të mundësohet sërish shfaqja e filmit”, thuhet në reagimin zyrtar.

Policia e Malit të Zi ende nuk ka dalë me një deklaratë publike, ndërsa burime jozyrtare i thanë Radios Evropa e Lirë se “po mblidhen informacione” dhe se veprimet po kryhen “nën drejtimin e prokurorisë”.

Sipas dëshmitarëve, pas fillimit të filmit, disa persona reaguan negativisht ndaj gjuhës shqipe dhe u larguan nga vendi i ngjarjes, duke bërë komente fyese. Më pas, një grup tjetër i shtuar në numër dhe agresivitet kërkoi me zë të lartë ndërprerjen e menjëhershme të filmit.

“Ndaleni këtë film”, “Asnjë film shqip në Zabjello”, dëgjoheshin thirrjet sipas dëshmitarit Jasmin Muriq, i cili ishte në audiencë.

Ai shton se organizatorët tentuan të qetësonin situatën, por u përballën me kërcënime dhe fyerje. Policia, ndonëse e pranishme në zonë, sipas tij nuk ndërhyri.

Organizatorët e festivalit Xhada konfirmuan se shfaqja u ndërpre për arsye sigurie, duke e cilësuar ngjarjen si një “situatë të pakëndshme”, por nuk komentuan më tej.

Producenti i filmit, Ivan Gjuroviq, u shpreh se askush nga institucionet shtetërore nuk ka kontaktuar ekipin e filmit pas incidentit. Ai tha se nuk i fajëson qytetarët që reaguan, por e cilëson këtë si pasojë të një shoqërie të “helmuar nga indoktrinimi dhe mungesa e edukimit shoqëror”.

“Ky është një film që trajton pozitën e grave në zona të izoluara, përfshirë edhe pjesë të Malit të Zi. Është logjike që të jetë në gjuhën shqipe, sepse regjisori vjen nga zona kufitare me Shqipërinë”, tha Gjuroviq.

Ngjarja ka nxitur reagime të ashpra edhe nga përfaqësues të politikës, shoqërisë civile dhe komuniteteve fetare në Mal të Zi.

Kryetari i Bashkësisë Islame, Rifat Fejziq, e cilësoi ndërprerjen e filmit si “sulm ndaj diversitetit kulturor”. Ndërkohë, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj tha se kjo nuk është një çështje vetëm e shqiptarëve, por e gjithë shoqërisë malazeze.

“Mungesa e reagimit nga presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit është shqetësuese. Ata janë përgjegjës për mbrojtjen e lirisë dhe sigurisë”, deklaroi Gjeloshaj.

Zëvendëskryetari i Kuvendit, Nikollë Camaj, paralajmëroi se do të ndjekë personalisht çështjen për të siguruar që autorët të mbajnë përgjegjësi ligjore.

Ndërkohë, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi, që ka mbështetur financiarisht festivalin Xhada, deklaroi në rrjetin X:

“Liria e shprehjes artistike është pjesë integrale e lirisë së fjalës dhe një nga vlerat themelore të demokracisë.”