
Muzika korçare ka humbur sot një nga zërat e saj më të dashur e më autentik. Astrit Koçibelli, një nga figurat më përfaqësuese të serenatës, është ndarë nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar në kulturën muzikore të qytetit të Korçës.
Lajmi u bë i ditur nga Qendra e Artit dhe Kulturës Korçë, përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku theksohet:
“Korça humbi sot një nga serenatistët e saj më të dashur. Me zërin dhe shpirtin e tij, Astriti u bë pjesë e historisë së serenatës korçare. Këngët e tij do të vazhdojnë të jetojnë si kujtim i gjallë i dashurisë dhe artit të qytetit tonë.”
Astrit Koçibelli ishte një përfaqësues i brezit të artë të muzikës korçare dhe një ndër zërat që mbajti gjallë shpirtin e serenatës – një formë e veçantë muzikore, e lindur në rrugicat e Korçës, e mbushur me mall, ndjenjë dhe dashuri.
Vdekja e tij përbën një humbje të madhe jo vetëm për Korçën, por për gjithë ata që ndihen të lidhur me meloditë e saj të ëmbla dhe nostalgjike. Kujtimi i Astrit Koçibellit do të jetojë në zemrat e atyre që e deshën, e dëgjuan dhe e nderuan përmes këngëve që ai solli me aq pasion.