
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 28-vjetorin e vdekjes së Nënë Terezës, figurës së njohur botërisht dhe bamirëses së madhe shqiptare, e cila u nda nga jeta më 5 shtator 1997.
Në një mesazh përkujtimor, Kurti rikujtoi jetën dhe veprën e Anjezë Gonxhe Bojaxhiut, e lindur më 26 gusht 1910 në Shkup, me rrënjë nga Prizreni dhe Gjakova. Ai theksoi kontributin e saj të jashtëzakonshëm humanitar në Indi, ku u bë e njohur si Nënë Tereza.
“Në kujtim të Nënë Terezës” – shkroi Kurti – “Në një ditë si sot, më 5 shtator 1997, u nda nga jeta bamirësja e madhe shqiptare, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu. E njohur botërisht si Nënë Tereza, ajo lindi në Shkup, atëbotë kryeqendër e Vilajetit të Kosovës. Prindërit e saj, Nikollë Bojaxhiu nga Prizreni dhe Drane Barnaj nga Novosella e Gjakovës, i dhanë asaj rrënjët e forta shqiptare.”
Si 18-vjeçare, Anjezë Gonxhe u nis për në Irlandë, ku iu bashkua institutit katolik “Motrat e Loretos”. Pas gjashtë muajsh u largua për në Indi, ku zhvilloi pjesën më të madhe të veprimtarisë së saj bamirëse.
Në vitin 1950, ajo themeloi kongregacionin katolik “Misionaret e Bamirësisë”, duke ndihmuar mijëra njerëz të varfër dhe veçanërisht fëmijë. Për këtë punë të palodhur, ajo u nderua në vitin 1979 me Çmimin Nobel për Paqe, duke u bërë shqiptarja e parë që fitoi këtë çmim prestigjioz.
Pas vdekjes, më 19 tetor 2003, Papa Gjon Pali II e shpalli të lumturuar, ndërsa më 5 shtator 2016, Papa Françesku e kanonizoi si Shën Tereza.
“Edhe 28 vite pas ndarjes së saj, bota vazhdon ta kujtojë dhe nderojë Nënë Terezën, sepse virtytet dhe vlerat për të cilat ajo punoi gjatë gjithë jetës janë universale. Si shqiptare me rrënjë të thella, Nënë Tereza është shembulli më i lartë i humanizmit dhe përkushtimit ndaj njerëzimit,” përfundoi Kurti.