Vendosni fjalën kyçe....

Nga zhbërja e strukturave ekzistuese te shkarkimi me votë i Bashës. Gjithçka ndodhi në Kuvendin e Berishës sot (Foto/Video)


Ditën e sotme në stadiumin “Air Albania” u mblodh Kuvendi i thirrur nga Sali Berisha.

Në stadiumin kombëtar delegatët që kishin firmosur për mbledhjen e tij ishin ulur të ndarë nga mbështetës apo anëtarë të thjeshtë të Partisë Demokratike.

Në fushën e blertë ishte instaluar një platformë nga ku u mbajtën fjalime.

Delegatët identifikoheshin nëpërmjet një barkodi unik dhe skanoheshin elektronikisht kartat e tyre të delegatit duke paraqitur edhe dokumentet e identifikimit.

Në përfundim të regjistrimit në ekranin qendror të stadiumit numri u fiksua në 4934 delegatë të pranishëm.

Në Kuvend u krijua edhe një Komision i cili u kryesua nga Belind Këlliçi ndërsa anëtarë të tij ishin Ervin Minarolli, Sekretar Organizativ i PD-së, Ivi Kaso Sekretar Zgjedhor i PD-së, Albana Vokshi, kryetarja e LDG-së e deputete, Edmond Spaho, ish-nënkryetar.

Komisioni i Kuvendit

Komisioni lexoi edhe statutin e ri i cili u votua me ngritjen e dorës së delegatëve të pranishëm në Kuvend.

Pas miratimit të ndryshimeve në Statut ai zhbëri disa struktura drejtuese të PD-së zyrtare. Po ashtu edhe Kuvendin e thirrur më 18 Dhjetor nga kryetari Lulzim Basha.

Gjithashtu në Kuvendin Kombëtar është zgjedhur Komisioni i Rithemelimit të PD-së me 27 anëtarë.

Më 22 Mars, do të mblidhet përsëri Kuvendi për të zgjedhur strukturat e reja të PD-së.

Anëtarët e këtij Komisioni do të jenë: Agron Shehaj, Albana Vokshi, Aldo Bumçi, Arben Ristani., Belind Këlliçi, Blendi Himçi, Bujar Nishani, Çlirim Gjata, Edith Harxhi, Edi Paloka, Edmond Spaho, Eno Bozdo, Ervin Minarolli, Flamur Noka, Genc Deromemaj, Genc Pollo, Gent Strazimiri, Rigels Muçollari, Ivi Kaso, Keltis Kruja, Klevis Balliu, Ledina Mandija, Luan Baçi, Lorenc Luka, Mimoza Hajdarmataj, Oerd Bylykbashi, Sali Berisha.

Nga Kuvendi u lajmërua se PD-ja do ketë logo dhe vulë të re duke zhbërë në këtë mënyrë çdo gjë që ka pasur lidhje me PD-në që njohim deri më tani.

Në Kuvend u morr edhe vendimi që shkarkimi i Lulzim Bashës të votohej edhe me votim të fshehtë në ambientet e stadiumit ku ishte bërë gati infrastruktura me fletët e votimit dhe listat e delegatëve.

Fjala e Berishës

Në Kuvendin e sotëm Sali Berisha mbajti një fjalim ku shpalli edhe rithemelimin e Partisë Demokratike dhe hodhi tezat se do jetë një parti më konservatore dhe synim do ketë kundërshtinë ndaj George Soros.

Sot është ngjarje historike për konservatorë kudo që ndodhen në botë, sepse ai mblidhet si Kuvend shpëtimtar i vlerave të mëdha që ne ndajmë me ta kudo që janë, sepse ai mblidhet si Kuvend i cili përballet me sukses i vendosur të rrëzojë narkoshtetin në Shqipëri por i vendosur gjithashtu të ngrejë PD si parti konservatore në piedestalin që meriton, duke u përballur me mafien më të rrezikshme të planetit, me mafien e armikut më të egër të interesave shqiptare multimiliarderit George Soros”-tha Berisha.

Gjithashtu ai foli edhe për shpalljen non grata ku kërkoi rishqyrtimin e vendimit nga Departamenti Amerikan i Shtetit si dhe paraqitjen e provave në Gjykatën e Parisit për të provuar akuzat ndaj tij.

Kam muaj që pres, asnjë fakt, dokument, provë, për faktin e vetëm se nuk ekzistojnë. Edhe një herë nga kjo sallë u bëj thirrje zyrtarëve të DASH të çojnë në Paris çdo provë që kanë, t’i bëjnë publike, dhe unë marr çdo vendim ndaj vetes sime. Ftoj cilindo mbi Tokë që ka një provë të vetme ta paraqes publikisht. Sali Berisha merr vendimin e duhur. Duke qenë i përulur para të vëërtetës do vazhdoj pakthyeshëm misionin tim.

Si besimtar i zotit dhe dinjitetit të njeriut, beteja ime nuk do ndalet kurrë. Ftoj zyrtarët e DASH të rishqyrtojnë vendimet e tyre, sepse arroganca dhe gabimi nuk janë virtyte të njerëzve të lirë. Ju garantoj se do vazhdoj i palëkundur misionin tim së bashku me ju për të përmbysur narko-shtetin në Shqipëri, për të rikthyer në pushtet PD-në, si parti e vlerave të lirisë.”-tha Berisha.

Berisha nuk la pa sulmuar edhe Ambasadoren Yuri Kim duke e cilësuar sjelljen e saj si guvernatorë dhe e krahasoi me ambasadorin sovjetik dikur në Shqipëri.

“Është e trishtuar, e dhimbshme të shohësh ambasadorë të SHBA-ve të sillet si guvernatorë, njëlloj si dikur ambasadori Sovjetik në Tiranë”-tha Berisha.

Përfundimi i Kuvendit

Në përfundim të Kuvendit pas numërimit të votave Komisioni i krijuar njoftoi rezultatet për shkarkimin e Bashës duke mos dhënë asnjë surprizë.

Delegatë prezentë në momentin e çeljes së votimit të regjistruar ishin 4934 delegatë. Nga këta delegatë, pjesëmarrës në votim kanë qenë 4491 delegatë. Nga këta 4491 delegatë, kanë votuar pro shkarkimit të kryetarit të Partisë Demokratike 4446 delegatë. Kundër kanë votuar 36 delegatë dhe 9 delegatë e kanë nxjerrë fletën të pavlefshme. Ky është rezultati zyrtar i procesit të votimit.

Pas përfundimit të Kuvendit Berisha dha një deklaratë për mediat duke e konsideruar këtë ditë madhështore dhe momentum për rithemelimin e PD-së.

Në ditën kur PD-ja zyrtare ka thirrur mbledhjen e Kuvendit, më 18 dhjetor Komisioni i Kuvendit të sotëm do zhvillohet në degët e Partisë Demokratike, referendumi për shkarkimin e Lulzim Bashës ku do kenë mundësi të votojnë edhe anëtarët.

Pas zhvillimit të Kuvendit të sotëm, pritet lëvizja që do bëjë Lulzim Basha në Kuvendin e 18 dhjetorit apo masat që mund të marrë për një mos dështim të Kuvendit të tij pasi problematikë do jetë delegatët që kanë firmosur, nëse janë të njëjtët me ata që ishin ditën e sotme duke e futur PD-në në një rrugëtim të ri përplasje se kush do i drejtojë demokratët në vijim nëse do ketë dy parti dhe cili do mbajë selinë blu.