Vendosni fjalën kyçe....

9-vjetori i shenjtërimit të Nënë Terezës, përkujtohet nga krerët e shtetit


Sot shënohen 9 vjet nga shpallja shenjtore e Nënë Terezës, humanistes shqiptare që ia kushtoi jetën të varfërve dhe të braktisurve.

Më 5 shtator 2016, Papa Françesku e shpalli shenjtore gjatë një ceremonie madhështore në Vatikan, duke njohur mrekullitë e kryera pas vdekjes së saj si dëshmi të shenjtërisë.

Që prej asaj dite, 5 shtatori është shpallur festë zyrtare në Shqipëri, duke përkuar edhe me ditën e ndarjes nga jeta të Nënë Terezës, më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.

Në këtë ditë, ka ardhur një mesazh edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili shkruan se Nënë Tereza ishte një grua e shenjtë me trup të vogël dhe shpirtin sa betë bota. 

“Mirëmëngjes dhe me këtë foto të Shën Terezës, gruas së shenjtë me trup të vogël e me shpirtin sa vetë bota, ju uroj në këtë ditë të shenjtërimit të saj mbarësi e shëndet të mirë”. 

Presidenti Bajram Begaj ka përkujtuar sot Nënë Terezën, në ditën e ndarjes nga jeta dhe në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj. Në një mesazh për qytetarët, kreu i shtetit vlerësoi figurën dhe veprën e shenjtores shqiptare, duke e cilësuar simbol të mëshirës dhe dashurisë universale.

Begaj tha se Nënë Tereza është pjesë e shpirtit kombëtar të shqiptarëve, dhuratë për mbarë njerëzimin, ndërsa ftoi qytetarët të ndjekin mësimet e saj për kujdes, ndihmë dhe bamirësi.

“Sot, e gjithë bota lutet për Shenjtën Nënë Terezë. Si shqiptarë jemi krenarë që i dhamë botës një figurë të shenjtë e fisnike, simbol të mëshirës, dashurisë dhe kujdesit ndaj të pamundurve.  Shenjta Nënë Tereza është pjesë e shpirtit tonë kombëtar dhuruar njerëzimit për të shëruar plagë e për të sjellë shpresë aty ku mungon. Ajo na mësoi se edhe gjestet e vogla të mirësisë kanë fuqinë të ndryshojnë botën. Le të bëjmë çdo ditë një vepër të mirë.”  – shkroi Presidenti.

Ambasada e SHBA në Tiranë ka përkujtuar figurën e Nënë Terezës, duke ndarë një mesazh të presidentit amerikan Donald Trump, i cili thekson se ajo përfaqësonte më të mirën tek secili njeri.
“Nënë Tereza u dha ushqim të uriturve, strehë të pastrehëve dhe arsim atyre që kishin nevojë. Ajo përfaqësonte më të mirën te secili prej nesh.” – Presidenti Donald Trump në rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës.”, thuhet në reagim.

E nderuar me çmimet më të larta botërore, përfshirë Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979, Nënë Tereza mbetet një simbol i solidaritetit mes popujve. Ajo identifikohej si shqiptare me origjinë, indiane me shtetësi dhe qytetare e botës.

 

Ish-presidenti Ilir Meta ka përkujtuar sot nga qelia Nënë Terezën, në ditën e ndarjes nga jeta dhe në 9-vjetorin e shenjtërimit të saj.

Përmes një mesazhi në rrjete sociale, Meta e cilëson Nënë Terezën simbol të humanizmit dhe dashurisë universale, duke theksuar se shembulli i saj frymëzon për një Shqipëri më të drejtë e solidare.

Postimi i Ilir Metës: 

Në Ditën e Shenjtërimit të Nënë Terezës, simbolit të nënës së dhembshur shqiptare, të humanizmit dhe dashurisë universale, të frymëzohemi nga shembulli i Saj për domosdoshmërinë e ndërtimit të një Shqipërie më të drejtë dhe solidare, ku dashuria merr kuptim vetëm kur shndërrohet në vepër dhe shërbim ndaj të tjerëve dhe ku askush të mos mbetet vetëm përballë vuajtjes dhe mungesës së shpresës.

E Shenjta Nënë Terezë, krenaria jonë kombëtare, na mëson se një gjest i vogël mirësie ka fuqinë të ndryshojë jetën dhe botën.

“Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili nga ne mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.