
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj udhëheqësve politikë në Liban, përpara një takimi qeveritar vendimtar që pritet të mbahet nesër, duke u kërkuar që të ndërmarrin veprime të qarta për çarmatosjen e Hezbollah-ut.
Sipas YNetNews, që citon një burim amerikan, Uashingtoni ka bërë të ditur se “koha e tyre ka mbaruar” për të vepruar kundër kësaj organizate të armatosur, e cila mbështetet nga regjimi iranian. Po ashtu, burimi ka theksuar se çdo vonesë apo masa të pjesshme mund të rezultojnë në pezullimin e ndihmës vjetore prej rreth 150 milionë dollarësh që SHBA i jep Libanit.
Zyrtarë amerikanë, izraelitë dhe nga disa vende arabe po ushtrojnë trysni të shtuar ndaj qeverisë libaneze për të vepruar me vendosmëri, pavarësisht kërcënimeve të Hezbollah-ut, të cilat disa aktorë politikë në Liban i kanë interpretuar si paralajmërime për një luftë civile të mundshme.
Sipas administratës amerikane, ky është një moment vendimtar për të ardhmen e Libanit. “Hezbollah është në një moment historik dobësie,” thanë zyrtarët, duke theksuar se tani është koha që udhëheqësit libanezë të veprojnë, nëse duan të ruajnë sovranitetin dhe mbështetjen ndërkombëtare për vendin.